English

Berisha: Italia, Rol Të Rëndësishëm Në Përpjekjet E Shqipërisë Drejt Integrimit Në Be

- Kryeministri Berisha merr pjesë në konferencën me temë "Mbështetja italiane për integrimin e Shqipërisë në BE" - TIRANË, 19 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot, se "Italia ka luajtur dhe luan një rol shumë të rëndësishëm në integrimin europian të Shqipërisë", ndërsa vlerësoi ndihmën dhe solidaritetin e vendit fqinj në arritjen e standardeve të kërkuara. Kryeministri Berisha mori pjesë sot në konferencën "Mbështetja italiane për integrimin e Shqipërisë në BE: një partneritet strategjik mes Italisë, Shqipërisë dhe Komisionit Europian", të organizuar në hotel Sheraton, në Tiranë. Kryeministri theksoi se "96 për qind e shqiptarëve kanë përcaktuar integrimin në BE si të ardhmen e tyre më të shkëlqyer". "Për shkak të pamundësive historike, shqiptarët kanë humbur shumë kohë, ndaj kanë vullnetin për të kapur kohën e humbur", tha Berisha, duke shtuar se "integrimi në Europë është rruga më e shkurtër dhe e sigurt për të kapur kohën e humbur". Kreu i Qeverisë u ndal te ndihma dhe solidariteti i Italisë në procesin e integrimit europian të vendit tonë. "Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është nga proceset më serioze, më themelore, por edhe më të vështira në të cilën është angazhuar kombi dhe vendi. Ky proces është fund e krye i bazuar në meritën, pasi ky është interesi më jetik i qytetarëve shqiptarë", tha Kryeministri Berisha. Një proces i bazuar në meritë, sipas Kreut të Qeverisë, do të thotë se para së gjithash, shqiptarët duhet të realizojnë standardet e vendeve anëtare dhe kjo është përcaktuese. Kryeministri theksoi se "në këto 20 vjet, nga 3-4 vendet më të varfra të planetit, Shqipëria ia doli të shkëputet nga grupi i vendeve të varfra". Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha vlerësoi "solidaritetin e kombit italian i cili ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm në këtë proces". "Shqipëria ka qenë vendi i investimeve të huaja të ndaluara me Kushtetutë. Vetëm 2 vitet e fundit me kompanitë e mëdha italiane, kemi firmosur investime prej rreth 5 miliard euro. Shqipëria para 4 -5 vitesh ka patur probleme madhore me krimin e organizuar, ndërsa sot vendi ka një standard tjetër me treguesit e kriminalitetit më të ulët se mesatarja e BE-së", tha Kryeministri Berisha. Ai vlerësoi kontributin e agjencive italiane të zbatimit të ligjit, ndërsa theksoi se "mes dy brigjeve ekziston një bashkëpunim luajal që ngushton çdo ditë e më shumë hapësirat për krimin e organizuar dhe kriminalitetin". Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se "Shqipëria ka bërë një luftë të madhe kundër korrupsionit dhe në këtë drejtim po vendos standarde të reja që mund të mos gjenden edhe në disa vende anëtare të BE-së". Shqipëria, sipas Kryeministrit Berisha "ka patur një infrastrukturë ndër më të shkatërruarat dhe janë qindra milionë euro të kooperacionit italian që kanë ndihmuar vendin të ecë drejt një infrastrukture moderne". Kryeministri çmoi edhe se "ndihma italiane adresohet para së gjithash për të ndihmuar Shqipërinë që procesin e integrimit". "Ndihma dhe avokatia e bërë nga institucionet dhe qeveria italiane ka qenë jashëzakonisht e çmuar. Shqipëria sot është anëtare e NATO-s me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare dhe Italia ka qenë në krye të përpjekjeve për të promovuar potencialet dhe arritjet e Shqipërisë", tha Kryeministri Berisha. Sipas tij "Shqipëria është para një procesi historik, siç është lëvizja e lirë dhe ndihma e qeverisë italiane në këtë proces është shumë e madhe". "Mbështetja italiane është e gjithanshme. Ne po diskutojmë për Korridorin 8, i cili nuk lidh pjesë të kontinentit si korridoret e tjera, por lidh kontinentet", tha Kryeministri Berisha. Duke u ndalur te urat lidhëse që ekzistojnë mes dy vendeve, Kreu i Qeverisë vuri në dukje edhe faktin që në Itali jeton një komunitet i madh shqiptarësh. "Në Itali jetojnë rreth gjysëm milioni arbëresh dhe gjysëm milioni emigrantë. Në universitetet italiane studiojnë mbi 20 mijë studentë dhe në vendin fqinj ushtrojnë aktivitetin e tyre mbi 22 mijë sipërmarrës shqiptarë", tha Kryeministri Berisha./n.m/
KOMENTE