Bregu: Italia, Mbështetëse E Shqipërisë Në Rrugën Drejt Integrimit Europian
- Ministrja Bregu takon ministrin italian për Marrëdhëniet me Rajonet, Raffaele Fitto -
TIRANË, 19 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Ministrja e Integrimit Europian, Majlinda Bregu, deklaroi sot se "Italia është një nga vendet kryesore të Bashkimit Europian që promovon dhe mbështet Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit europian".
Ministrja Bregu zhvilloi sot një takim me ministrin italian për Marrëdhëniet me Rajonet, Raffaele Fitto, me të cilin dha më pas një deklaratë të përbashkët për mediat.
Duke u ndalur te marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Italisë, Bregu theksoi se "këto marrëdhënie të fqinjësisë së mirë janë konkretizuar edhe në projekte konkrete mes dy vendeve".
"Shqipëria dhe Italia së bashku me vendet e tjera që lagen nga deti Adriatik, janë pjesë e programit të përbashkët IPA Adriatik, të lançuar vjet. Brenda vitit 2010, nga 300 projekte të paraqitura nga pala shqiptare, 150 prej tyre kanë partner të përbashkët Italinë", tha Bregu, që bëri të ditur se në programin IPA Adriatik bëjnë pjesë edhe Mali i Zi, Sllovenia dhe Kroacia.
Ministrja Bregu theksoi se "Shqipëria përfiton nga ky program 8 milionë euro dhe qëndron në vendin e tretë pas Italisë dhe Kroacisë". Këto fonde, sipas saj, "kanë si qëllim kryesor zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve dhe përqëndrimin në projekte me interes strategjik për dy vendet tona".
"Si aureolë e përpjekjeve të Shqipërisë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian janë marrëdhëniet dypalëshe që konsiderohen si të shkëlqyera", tha Bregu./s.s./