Tiranë, 19 maj, NOA - Caritasi shqiptar do t’i akordojë një kontribut financiar të caktuar fondacionit kulturor "Nënë Tereza" dhe fondacionit "Fëmijët Shqiptarë", të drejtuar nga zonja Liri Berisha, në kuadrin e realizimit të një ndër projekteve kryesore prej tyre, siç është ai i realizimit të Muzeut "Nënë Tereza".
Lajmi bëhet me dijeni nga burimet zyrtare të Caritasit, të cilat sqarojnë se ceremonia përkatëse për dhurimin e këtij kontributi do të realizohet nesër dhe se do të jetë vetë drejtori i Caritasit Shqiptar, Albert Nikolla, i cili do t’i dorëzojë zonjës Liri Berisha kontributin financiar, si edhe një punim artistik.
Sillet ndërmend gjithashtu edhe fakti se gjatë vizitës se Berishës në Nju Jork, ku ajo ishte e ftuar në festën e Zonjës së Shkodrës, iu përcoll një kontribut financiar për Caritasin Shqiptar, i mbledhur nga fondet e bashkëatdhetarëve tanë atje për zonat e përmbytura në Shkodër dhe përreth.
n.e/NOA