English

Çështja "Hoxha"/ Prokuroria: Tjetër Letër Porosi Në Holandë Për Dëshmitarin Loshaj

TIRANË, 19 Maj/ATSH/- Prokuroria kërkoi sot ridërgimin në Holandë të letër -porosisë për të marrë dëshminë e Avdyl Loshajt, një nga dëshmitarët kryesorë në çështjen për rrëmbimin me pasojë zhdukjen e bisnesmenit shqiptaro -maqedonas, Remzi Hoxha në 1995 në Tiranë. Kërkesa u bë sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda nga përfaqësuesi i Prokurorisë, Xhevat Hana pas letër -përgjigjes negative të ardhur nga Holanda, ku njoftohej për mosgjetjen e dëshmitarit Loshaj në adresën e dhënë nga autoritetet shqiptare. Kjo është hera e tretë që pala shqiptare do të nisë letër porosi për të siguruar dëshminë e dëshmitarit Loshaj që mendohet se ndodhet në Holandë, pas humbjes së letër porosisë së parë dhe përgjigjes negative të ardhur për herë të dytë. Dëshmitari Avdyl Loshaj konsiderohet nga prokuroria si një nga personat që kanë njohuri për ngjarjen e ndodhur afro 15 vjet më parë në Tiranë. Po sot, Gjykata informoi për ardhjen e përgjigjjes së letërporosisë së dërguar, këtë herë në Itali, ku autoritet italiane konfirmuan gjetjen e tre shtetasve shqiptarë, të cilët pritet të dëshmojnë për këtë çështje në Itali. Si të pandehur në këtë proces janë katër ish- punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar SHIK sot Shërbimi Informativ Shtetëror SHISH, që akuzohen për rëmbim me pasojë zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha në 1995 në Tiranë./a.m//n.m/
KOMENTE