English

Durrës:, Berisha: Qeveria Ka Detyrë Të Krijojë Hapësira, Forcat Politike Mbajnë Qëndrimet E Tyre

DURRËS, 19 Maj /ATSH-Gëzim Kabashi/.- "Qeveria ka për detyrë të krijojë hapësirat për të gjitha forcat politike e më pas secila është e lirë të mbajë qëndrimet që do", theksoi sot në mbrëmje në Durrës Kryeministri Sali Berisha në përgjigje të interesimit të mediave lidhur me krizën politike në vend. "Institucionet funksionojnë me intensitet të plotë. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme, siç është e vërtetë që një grevë, apo një kamping është vendosur para zyrave të mija, dëshmi madhore e funksionimit të demokracisë së këtij vendi", tha Kryeministri Berisha. "Qytetarët kanë patur dhe do të kenë të drejtë të protestojnë edhe aty ku nuk ua pret mëndja të tjerëve", nënvizoi z. Berisha, duke vlerësuar se "çdo forcë politike bën zgjedhjet e saj". Ai u shpreh "i hapur në respekt të plotë ndaj opozitës, në respekt të opsioneve që ajo gjykon më të përshtatshme për veten e saj". "Një gjë është e sigurtë që qeveria ka për detyrë të krijojë hapësira, secila forcë është e lirë të mbajë qëndrimet që do", tha Kryeministri Berisha. Kryeministri Berisha mori pjese sot ne perurimin e fillimit te punimeve në kalaten lindore te portit detar të Durrësit./s.s./
KOMENTE