English

Ekonomi - Bce: Plani I Mbështetjes Për Zonën Euro Bëhet Për Të Fituar Kohë

BERLIN, 19 maj /ATSH-AFP/ - Shefi i ekonomistëve të Bankës Qendrore Evropianae, BCE, Jurgen Stark, theksoi sot se plani i mbështetjes së zonës euro bëhet "për të fituar kohë", por nuk do t'i zgjidhë i vetëm problemet e vendeve në vështirësi financiare. Plani gjigant i ndihmës prej 750 miliardë euro i vënë në zbatim përpara 10 ditësh për të penguar përhapjen e krizës greke në vende të tjera në vështirësi "pritet të ndihmojë për të fituar kohë", u shpreh Stark në televizionin publik. Por, problemet themelore të disa vendeve të zonës euro nuk do të zgjidhen, theksoi ai, duke u bërë thirrje shteteve në fjalë të vënë në rrugën e duhur financat e tyre publike. Shefi i ekonomistëve e vlerësoi "të tepruar" kritikën ndaj BCE-së në kuadrin e "krizës së thellë" që po kalon zona euro, duke akuzuar shtetet ose qeveritë që nuk kanë respektuar traktatet e bashkimit monetar dhe kanë jetuar me të ardhura më të larta se mesatarja e tyre për shumë vite". Stark mbështeti idenë se ndaj BCE-së nuk është bërë "asnjë presion politik" duke vendosur për blerjen e obligacioneve të vendeve të zonës euro në situatë buxhetore kritike, një masë e paprecedentë në historinë e saj, që, sipas tij, "ka për qëllim stabilizimin e tregjeve financiare në këtë fazë shumë kritike". Ai hodhi poshtë shqetësimet e shefit të ekonomistëve të Deutsche Bank, Thomas Mayer, sipas të cilit BCE-ja rrezikon të transformohet në "bad bank" duke vazhduar blerjen e obligacioneve. "Ky lloj propozimi nuk të ndihmon në diskutimin aktual", shprehu keqardhjen Stark, duke siguruar në të njëjtën kohë se misioni i BCE-së nuk ka ndryshuar: do të garantojmë stabilitetin e çmimeve për qytetarët evropianë. /I.Pu.
KOMENTE