Ekonomi - Spanjë - Konfirmohet Rritja E Lehtë Ekonomike Prej 0,1 Për Qind Në Tremujorin E Parë
MADRID, 19 maj /ATSH-AFP/ - Prodhimi i Brendshëm Bruto në Spanjë pësoi një rritje të lehtë në tremujorin e parë, në krahasim me tremujorin e fundit të vitit 2009, prej 0,1 për qind, pas një periudhe recesioni, njofton Instituti Kombëtar i Statistikave, Ine, në shifra përfundimtare të publikuara sot.
Sipas këtyre statistikave që konfirmojnë një vlerësim të publikuar më 12 maj nga Ine, luhatja e PBB-së për 12 muaj mbetet negative në tremujorin e parë të vitit 2010 me një rënie prej 1,3 për qind.
Megjithatë, ritmi i kësaj rënieje po ngadalësohet ndjeshëm përballë rënies prej 1,8 për qind të regjistruar në tremujorin e fundit të vitit 2009.
Spanja, ekonomia e katërt më e madhe e zonës euro, hyri në recesion në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2008, e përfshirë nga kriza financiare ndërkombëtare dhe rënia e tregut të pronave të patundshme.
Për të gjithë vitin, qeveria spanjolle pret një tkurrje të aktivitetit prej 0,3 për qind të PBB-së në vitin 2010, pas një rënieje prej 3,6 për qind në vitin 2009, gjë që do të thotë se ekonomia spanjolle pritet të jetë në situatë të vështirë gjatë këtij viti.
/I.Pu.