Elbasan: Përfundon "Maratona Rinore 2010", Shumë Çmime Për Artistët E Rinj
ELBASAN, 19 Maj /ATSH-Miranda Sadiku/ -Pas një konkurimi për 10 ditë, në përfundim të edicionit të 15-të "Maratona Rinore 2010" në teatrin " Skampa" në Elbasan, mbrëmja e djeshme ndau shumë çmime për artistët e rinj të shkollave të mesme në prefekturën e Qarkut të Elbasanit.
Për 10 ditë në këtë skenë u ngjitën në skenë më shumë se 800 nxënës nga 9 shkolla të mesme të përgjithshme e profesionale të qytetit, që përfunduan me finalen e madhe të maratonës, ku u shpërndanë çmime për interpretimet në gjini të ndryshme.
Çmimin më të mirë e mori shkolla e mesme e përgjithshme "Kostandin Kristoforidhi", për vallen popullore më të mirë e mori shkolla "Dhaskal Todri" me vallen kosovare "Pavarësia", dhe për kërcimin më të mirë modern e ka fituar shkolla " Ahmet Dakli".
Çmime u dhanë për modelin më të mirë, ku u vlerësua Vjola Hoxha, këngëtarja më e mirë u cilësua Albana Kackini nxënëse në shkollën " Qemal Stafa", për interpretimin e humorit më të mirë e mori shkolla "Kristoforidhi" dhe si prezantuesja më e mirë, maturantja e shkollës " Dhaskal Todri" Elca Myftarai
Në fund të spektaklit, kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini vlerësoi me titullin "Mirënjohja e Qytetit" kompozitorin njohur elbasanas, Edmomd Rrapi, me motivacionin " Për kontributin e punën palodhur jo vetëm në artin e qytetit por edhe në zbulimin e talenteve e zërave të rinj, përfqësues të denjë të Elbasanit në evenimente kombëtare e me gjerë".
"Maratona Rinore" është kthyer në aktivitet të përvitshëm dhe në traditë, financuar nga Bashkia e Elbasanit, ku të rinjtë interpretojnë në zhanre të ndryshme artistike si këngë të ndryshme, balet, pjesë humoristike, sfilatë, koreografi, balet modern, klasik, recitime artistike, etj.
Me regji të Veronika Papës, producent Ilirjan Sulkja, dhe udhëheqës artistik Edmond Rrapi, edhe këtë vit organizatorët shprehen se janë zbuluar shumë talente të reja në fusha të ndryshme artistike.
Nga kjo maratonë 15-vjeçare kanë dalë figura të njohura ndër vite në vend, si Rovena Stefa, Arbër Arapi, Anisa Devina, Salsano Rrapi etj./n.m/