English

Fier: Takim Për Ta Kthyer Turizmin Në Prioritet

FIER, 19 Maj /ATSH-Rr.Isufaj/ - Prefekti i qarkut Fier u kërkoi të mërkurën në një takim për turizmin të gjithë aktorëve kontribues që ta trajtojnë turizmin me prioritet, sidomos në zonën bregdetare. "Për zhvillimin e turizmit kërkohet një angazhim dhe koordinim i punëve ndërmjet njësive të qeverisjes vendore dhe institucioneve qëndrore në nivel vendor. Kjo me qëllimin për të arritur kushte sa më normale, për të gjithë pushuesit," - tha prefekti Bujar Hasaj. Rrethi i Fierit ka rreth 46 km vijë bregdetare, e shtrirë në komunat Ndërmënas, Levan, Topojë e Libofshë. "Këto plazhe që shquhen për rërën e imët dhe kurative, për kurorën e gjelbër, për faunën dhe florën e pasur, janë një mrekulli natyrore ende e pa eksploruar plotësisht,"-tha Hasaj. "Njësitë vendore duhet të tregojnë kujdes të veçantë në organizimin dhe funksionimin e rregullt të plazheve. Të organizojnë shërbimin e pastrimit të plazheve, plugimin e rërës, pastrimin dhe vendosjen e koshave për grumbullimin e mbeturinave. Kontrollin për shkarkimin e ujrave të zeza,duke ndërtuar tualete provizore. Vendosjen e tabelave promovuese, organizimin dhe planifikimin e veprimtarive kulturore," -tha Hasaj. "I kemi një borxh të madh natyrës. Ajo e ka bekuar këtë territor me një bukuri mahnitëse dhe me resurse të shumta. Të japim gjithë kontributin tonë që kjo bukuri të mos mbetet e mbuluar nga heshtja, por ta shndërrojmë bregdetin në një magnet të fuqishëm për thithjen e pushuesve dhe një gjenerator të fuqishëm, të zhvillimit social-ekonomik të zonës, - tha Prefekti./ch/
KOMENTE