Fitto-Berishes: Qeveria Italiane, Vullnet Per Mbeshtetjen Dhe Perkrahjen E Shqiperise Per Integrimin Ne Be
- Kryeministri Berisha pret ministrin italian per Çeshtjet Rajonale, Raffaele Fitto -
TIRANE, 19 Maj/ATSH/. - Ministri italian per Çeshtjet Rajonale, Raffaele Fito u shpreh sot se, qeveria italiane ka vullnet per mbeshtetjen dhe perkrahjen e Shqiperise per integrimin sa me te shpejte ne Bashkimin Evropian.
Sipas Zyres se Shtypit te kryeministrise, Kryeministri Berisha priti sot në takim ministrin Italian për Çështjet Rajonale, Raffaele Fitto së bashku me delegacionin që e shoqëronte.
Ministri Fitto përcolli përshëndetjet më të ngrohta dhe miqësore të Kryeministrit italian Silvio Berlusconi dhe shprehu kënaqësinë për organizimin e një konference kaq të rëndësishme në Tiranë mbi mbështetjen italiane për integrimin e Shqipërisë në BE, si një tjetër shembull i shkëlqyer ky i vullnetit të qeverisë italiane për të mbështetur dhe përkrahur integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE.
Kryeministri Berisha ndërsa u shpreh se ministri Fitto është mik i vendit tonë, që në vitet kur ishte President i Rajonit të Pulias, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve, tha se kjo vizitë është një tjetër kontribut i forcimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë në fusha të ndryshme.
Ministri Italian Fitto vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në një nivel shumë të mirë dhe veçanërisht këto vitet e fundit kanë njohur ngritje dhe intensifikim të madh, veçanërisht në fushën ekonomike.
Ai theksoi se qeveria italiane është e vendosur të intensifikojë edhe më tej marrëdhëniet mes dy vendeve, duke mbështetur fuqishëm bashkëpunimin ekonomik dhe hartimin dhe zhvillimin e projekteve rajonale me rëndësi dhe interes reciprok.
Kryeministri Berisha dhe ministri Italian, Fitto nënvizuan rëndësinë e Korridorit 8-të, si një projekt shumë i rëndësishëm për rajonin dhe Italinë, si rrugë themelore për tregjet dhe bashkëpunimin mes vendeve. Në këtë drejtim, Ministri Fitto u shpreh se qeveria italiane do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm këtë projekt.
Gjatë takimit u diskutua mbi fushat e bashkëpunimit dhe investimet italiane në Shqipëri në energji, infrastrukturë etj. Ministri Fitto tha se Shqipëria është një vend me një situatë ekonomike dhe sociale shumë pozitive, falë reformave të qeverisë shqiptare dhe se rritja e madhe dhe e vazhdueshme ekonomike e vendit ishte shumë inkurajuese si për shtimin e investimeve italiane, ashtu dhe për suksesin e projekteve në nivel rajonal. /a.ke/