Tiranë, 19 maj, NOA – Pala shqiptare dhe ajo gjermane kanë zhvilluar bisedimet qeveritare të sivjetshme mes dy vendeve tona mbi bashkëpunimin dypalësh për zhvillim, të cilat u finalizuan me nënshkrimin e protokollit përkatës.
Kështu, bëhet me dijeni se qeveria federale gjermane i ka miratuar Shqipërisë një mbështetje të mëtejshme në shumën mbi 78 milionë eurove për periudhën e viteve 2010- 2011, e cila do të jepet në formën e kredive me përqindje të favorshme, të ashtuquajturat kredi zhvillimi ose në formën e subvencioneve.
Ndërkaq, 70 milionë euro prej tyre do t’i kalojë fushës së bashkëpunimit financiar dhe rreth 8 milionë euro fushës së bashkëpunimit teknik.
Të dhënat tregojnë se që nga nënshkrimi i protokollit të parë të bisedimeve qeveritare mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, më 22 tetor 1988, Gjermania ka vënë në dispozicion të Shqipërisë më shumë se 1 miliardë euro, në formë asistence, pjesërisht në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe pjesërisht përmes asistencës së BE-së.
Në asnjë vend tjetër të botës Gjermania nuk ka dhënë mbështetje më të madhe për frymë
sesa në Shqipëri, në 20 vjetët e fundit.
n.e/NOA