English

Greva E Urise; Moment I Besueshem Per Te Shprehur Vullnetin Per Zgjidhje

E TIRANE, 19 Maj /ATSH/- Grevistët e Partisë Socialiste, të mbetur në ditën e 19 të grevës së urisë, po dalin sot në orët e vona të mbrëmjes nga çadrat e vendosura para kryeministrisë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Deputeti i PS, Erion Braçe, tha se "ky është një moment i besueshëm për të shprehur të gjithë vullnetin për një zgjidhje dhe të realizohet transparenca". Ndërsa deputeti Arben Ahmetaj u shpreh se "kjo është një fitore e Shqipërisë, e ardhmja e zgjedhjeve do të jetë ndryshe". Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi ndërprerjen e protestës dhe grevës së urisë, nisur më shumë se dy javë më parë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë, për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e krijuar, me ftesë të zotit Joseph Doul, Kryetar i Grupit të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian dhe të zotit Martin Schulz, Kryetar i Grupit të Partive Socialiste Europiane në Parlamentin Evropian, Kryeministri Berisha niset për në Strasburg, ku do të marrë pjesë në një darkë që shtrohet për të dhe për Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Gjatë kësaj darke do të diskutohet gjerësisht mbi rrugët dhe mbi mënyrat për t'i dhënë fund ngërçit politik në Shqipëri. Protesta e opozitës nisi në mbrëmjen e datës 30 prillit, kur 22 deputetë dhe rreth 180 simpatizatë të PS-së hynë në një grevë urie në çadrat e vendosura përballë kryeministrisë./e.gj/s.s./
KOMENTE