English

Histori/Fier: Apollonia E Arkologut Francez, Leon Rei

I FIER, 18 Maj /ATSH-Rr.Isufaj/ - Një pjesë e madhe e punës për zbulimin e qytetit antik të Apollonisë, rreth 8 km larg Fierit lidhet me emrin e arkeologut francez, Leon Rei, të cilin fierakët e kanë përjetësuar në një rrugë dhe i ka dhënë titullin "Qytetar nderi". Në vitin 1923 Leon Rei së bashku me senatorin francez, Justin Gotard vizitoi Shqipërinë dhe më pas, punoi si arkeologDurrës, por disa muaj më pas, (nuk dihet për ç'arsye), ai e la përgjysmë punën në Durrës dhe u vendos përfundimisht në Apolloni. "Këtu ndërtoi shtëpinë e tij të thjeshtë, që vendasit e quanin, "shtëpia e Frëngut", tregon arkelogu Bashkim Vreka, drejtor i Parkut Arkeologjik te Bylysit. Apollonia ishte bërë pjesë e kureshtjes së familjarëve dhe miqve të tij në Paris, ndërsa e shoqja, Margarita, e vizitoi disa herë. "Rei jetoi në Apolloni në vitet 1924-1939 së bashku me makinën e tij "Panhord", jashtë serie, prodhuar enkas për rrugët e Shqipërisë", thuhet në historikun e Muzeut të Fierit. Ai mund të thuhet, e nxori nga harresa Apolloninë. Në vitet e para të punës, Rei zbuloi 2 banesa romake, më pas Portikun e ri së bashku me 17 nishet e tij, e më tej, zbuloi Odeonin, bibliotekën, të cilat, së bashku me portikun, përbënin qendrën romake të qytetit dhe më vonë, u zbuluan muret rrethuese. Të gjitha objektet arkeologjike të zbuluara, Rei ia dorëzonte me korrektësi ministrisë shqiptare të Kulturës. Ndërsa në 1936 hapi në Shtëpinë e Pavarësisë në Vlorë, muzeun arkeologjik me emrin "Zogu i parë". Me pushtimin e Shqipërisë më 1939, muzeu u vodh dhe pushtuesit italianë nuk e lejuan Rein të vinte në Shqipëri. Më 15 maj 2004 në Apolloni erdhi djali i tij, Zhan Gabrieli. Vreka tregon se ai është shprehur se "babai im ka dashur të vazhdojë punën studimore të lënë përgjysmë në kohën e pushtimit të vendit tuaj, por autoritetet shqiptare nuk e lanë në kohën e diktaturës, rreth viteve 50. Ai erdhi deri në Tiranë, por qeveria shqiptare, edhe pse e dinte mirë përkushtimin dhe ndershmërinë e tij në punë, nuk e lejoi të vazhdonte gërmimet me ekspeditën e tij". Sipas Vrekës, Leon Rei botoi revistën e përvitshme shkencore "Albania", nga viti 1927 deri në 1939. "Në numrin e fundit, Rei denoncoi publikisht vjedhjet e veprave arkeologjike nga pushtuesit italianë," thotë Vreka. Me largimin e tij nga Shqipëria, revista nuk doli më. Rei u paraqit shpesh me studimet shqiptare në konferenca shkencore të organizuara nga shoqëri të ndryshme arkeologjike jashtë vendit si në Berlin, Drezden, Luven etj. Në projektet e tij ishte ngritja e një Instituti studimesh për Skënderbeun, gjë që nuk e realizoi dot për arsyet e sipërpërmëndura. /ch/
KOMENTE