English

Italia, Partner Strategjik Dhe Avokate E Fortë E Integrimit Europian Të Shqipërisë

- Organizohet në Tiranë konferenca me temë "Mbështetja italiane për integrimin e Shqipërisë në BE" - TIRANË, 19 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Italia është një partner strategjik i vendit tonë dhe një avokate e fortë në rrugën e integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Konferenca me temë "Mbështetja italiane për integrimin e Shqipërisë në BE; një partneritet strategjik mes Shqipërisë, Italisë dhe Komisionit Europian" e organizuar sot në Hotel Sheraton nga ministria e Integrimit dhe ambasada italiane në Tiranë, konfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve. Në konferencë ishin të pranishëm Kryeministri Sali Berisha, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, ministri Italian për Marrëdhëniet me Rajonet Rafaele Fito, kreu i delegacionit të KE-së në Tiranë Helmut Lohan, Ambasadori Saba D'Elia etj. Duke referuar, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu tha se "kryefjala e procesit të integrimit është mbështetja masive e shqiptarëve në një proces jo të lehtë, që çdo ditë sjell detyrime të reja". "Një nga sfidat tona kryesore në këtë proces është tërësia e akteve ligjore në përputhje me acquis communautaire. Deri tani kemi 70% të legjislacionit në përputhje me BE-në, ndërkohë që edhe respektimi i kritereve të Kopenhagenit është kryesor në marrëdhënien tonë integrale me BE-në", tha Bregu, duke vlerësuar si të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Itali. Sipas saj "Shqipëria sot ka një marrëdhënie integrale shumë të mirë me BE-në dhe në këtë marrëdhënie nuk ka asnjë çështje të pa zgjidhur". Përsa i përket bashkëpunimit ndërkufitar, ministrja Bregu theksoi se "në marrëdhëniet me vendet fqinje, Shqipëria ka pasur vlerësimet më pozitive nga KE, pasi ka promovuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, jo vetëm me vendet e Ballkanit por me të gjitha vendet". Ndërsa, Ministri për Marrëdhëniet me Rajonet në Itali, Raffaele Fitto theksoi kontributin që mund të japë Italia duke nxitur bashkëpunimin dypalësh në nivelin e qarqeve. "Ne synojmë që ta bëjmë akoma më shumë efikase mbështetjen tonë për Shqipërinë, sepse mendojmë se rruga e integrimit europian të Shqipërisë është themelore. Italia është e vendosur të shoqërojë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së", tha Fitto. Sipas tij "dy vendet duhet të punojnë intesivisht për konsolidimin e asaj që është bërë deri tani dhe gjetjen e rrugëve të reja për bashkëpunim të mëtejshëm". Ambasadori italian, Saba d'Elia vuri në dukje se "organizimi i kësaj konference synon të përcaktojë format e dialogut që mund të bëjnë të mundur rrugën e përshpejtimit të Shqipërisë drejt BE-së". "Italia është partneri i parë i Shqipërisë në rrugën drejt BE-së dhe vendi i parë në shkëmbimet e jashtme të Shqipërisë. Italia është një donator shumë i rëndësishëm në planin kulturor dhe lidhjet mes dy popujve janë shumë të forta", tha D'Elia. I pranishëm në konferencë ishte edhe zv.kryetari i rajonit Abruzzo në Itali, Alfredo Castiglione, i cili theksoi se "Qarku i Abruzzios ka qenë ndër të parët që ka besuar në marrëdhëniet e bashkëpunimit". "Gjatë qëndrimit tim në Shqipëri, unë takova disa sipërmarrës italianë që punojnë këtu në sektorë të ndryshëm. Prioritet në të ardhmen mund të jetë vlerësimi i produkteve lokale dhe përmirësimi i rrjeteve infrastrukturore", tha ai. /n.m/
KOMENTE