Komisioni I Ekonomisë Miraton Ndryshimet Në Ligjin "Për Akcizat"
TIRANE 19 Maj/ATSH-A.Gjonaj/- Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi sot ndryshimet në p/ligjin "Për akcizat", që zgjerojnë listën e mallrave me akcizë dhe përcaktojnë masa në rastet e shkeljeve, kundërvajtjeve dhe sanksionet e përcaktuara në ligjin ekzistues të akcizave.
Kryetari i Komisionit, Edmond Spaho tha se ndryshimet e propozuara nga Ministria e Financave konsistojnë në zgjerimin e listës së produkteve të akcizueshme, që përfshijnë edhe disa mallra me ndikim mjedisor.
Po kështu, tha ai, ndryshimet përcaktojnë uljen e akcizës për disa produkte si kafeja, me qëllim nxitjen e industrisë së përpunimit të kafesë në vend, si dhe heqjen nga lista të produkteve të akcizueshme të mallrave të parfumerisë dhe kozmetikës, jo vetëm me qëllim shmangien e kontrabandës, por edhe si një praktikë, që është në përputhje me atë të shumicës së vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Në ndryshimet e miratuara përfshihet heqja nga lista e produkteve të akcizueshme të llampave me filament, me qëllim nxitjen e konsumatorit shqiptar për përdorimin e tyre si llampa ekonomike.
Gjatë diskutimeve, deputetët vlerësuan se hartimi i shtesave dhe ndryshimeve synon nxitjen e prodhimit vendas, shmangien e evazionit fiskal dhe mbrojtjen e mjedisit./n.m/