Kosovë - Thaçi Vizitë Zyrtare Në Turqi Me Ftesë Të Kryeministrit Erdogan
PRISHTINË, 19 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u nis sot për një vizitë zyrtare në Turqi, me ftesë të Kryeministrit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Sipas axhendës së zyrës së shtypit të qeverisë së Kosovës, në ditën e parë të vizitës në kryeqytetin turk, Ankara, Kryeministri Hashim Thaçi do të pritet nga homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan.
Në ditën e dytë të vizitës, Kryeministri Thaçi do të pritet nga kryebashkiaku i Stambollit, Kadir Topbas si dhe do të marrë pjesë në takimin e organizuar me përfaqësues turk të biznesit lidhur me investimet në Kosovë.
Gjatë vizitës së delegacionit të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, do të nënshkruhen edhe disa marrëveshje bashkëpunimi mes dy qeverive në fusha të ndryshme./s.s./