Kukës: Drejt Konsolidimit Të Universitetit Të Kukësit
KUKËS, 19 maj /ATSH-R.Hoxha/ - Universiteti i Kukësit këtë vit pritet të konsolidohet edhe më tej, pasi po punohet për realizimin e plotë të programit mësimor e përgatitjen për sezonin e provimeve.
Rektori i tij, Mexhit Hajdari thotë se këtë vit akademik në universitetin me 3 degë, studiojnë rreth 400 studentë. Aktualisht japin mësim 9 pedagogë me kohë të plotë dhe 17 pedagogë të jashtëm.
"Pedagogët vendas japin kryesisht seminaret, ndërsa leksionet vazhdojnë të jepen kryesisht nga pedagogët e fakulteteve përkatës të universitetit të Tiranës", thotë Hajdari.
Gjatë këtij sezoni studentët do të japin 5-6 provime brenda një muaji ndërsa korigjimi i tyre do të kryhet në fakultetet përkatëse të universitetit të Tiranës.
Një nga problemet më shqetësuese është vazhdimi i mësimit me dy turne në fakultetin e infermierisë, për mungesë të mjediseve të mjaftueshme.
"Na është premtuar ndërtimi i një godine tjetër, por deri tani asgjë nuk është bërë, gjë që do të thotë se edhe vitin e ardhshëm mësimi do të vijojë me turne", thotë Hajdari.
Në këtë universitet, veç studentëve nga zona verilindore, ka edhe të tjerë nga Lushnja, Mallakastra, Tirana etj, të cilët e kanë zgjidhur privatisht problemin e strehimit./ch/