English

Kukës: Sezoni Turistik Për Policinë Kufitare Ka Filluar

KUKËS, 19 maj /ATSH-R.Hoxha/ - Për policinë që mbulon kufirin Shqipëri - Kosovë, 121 kilometra të gjatë, puna për përballimin e fluksit të lëvizjes gjatë sezonit turistik ka filluar. "Për ne zesoni turistik zyrtarisht ka nisur", - u shpreh drejtori rajonal i policisë kufitare Ylber Zyberi. Për këtë janë marrë një sërë masash duke patur parasysh edhe problematikën e konstatuar gjatë sezonit të kaluar. Kështu janë marrë masa për lehtësimin e procedurave të kontrollit e të lëvizjes së qytetarëve në të dy anët e kufirit përmes përmirësimit të aparaturave të kontrollit që tashmë janë sipas standarteve bashkohore, përmirësimin e rikonstruksionin e kabinave të kontrollit etj. "Në këtë drejtim kemi edhe marrëveshjet e nënshkruara mes qeverisë së Shqipërisë e asaj të Kosovës në lidhje me qarkullimin e në të dy anët e kufirit e të proçedurave të kontrollit që do të na ndihmojnë në punën tonë për përballimin e fluksit të lëvizjes gjatë këtij sezoni turistik",- thotë Zyberi. "Në funksion të të gjithë punës është vënë një infrastrukturë e përmirësuar ndjeshëm jo vetëm në Morinë, ku ka edhe projekte të tjera për t'u zbatuar, por edhe në pikat e tjera të kalimit kufitar si në qafë Morinë, të rrethit të Tropojës, e të qafë Prushit, të rrethit të Kukësit, ku janë ndërtuar godina të reja si dhe mjedise të nmjaftueshme për mjetet e mallrat",- u shpreh Zyberi. Krahas kësaj janë krijuar kontakte e po bashkëpunohet me drejtorinë e policisë së qarkut të Kukësit e pushtetin vendor që e gjithë kjo periudhë të kalojë pa probleme, edhe pse pritet një fluk i madh vizitorësh nga Kosova në drejtim të bregdetit shqiptar, aq më tepër me vënien në funksionim të autostradës Morinë - Kukës - Durrës./ch/
KOMENTE