Tiranë, 19 maj, NOA – Deputeti socialist i qarkut të Vlorës, Eltar Deda, është shoqëruar nga çadra e grevës së urisë, ku ndenji i ngujuar prej 18 ditësh, drejt mjediseve spitalore, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.
Në këtë mënyrë ai i renditet listës së deputetëve të tjerë socialistë, të cilët gjithashtu janë larguar nga greva e urisë, si Arben Malaj, Agim Leka, Blendi Klosi, Olta Xhaçka dhe Shegushe Ligori.
Ndërsa e llogarisim në total, deputeti Deda bëhet grevisti i 62-të që i ka lënë çadrat e ngujimit, e siç pohojnë vetë përfaqësuesit socialistë, numri i tyre pritet që të rritet edhe më shumë gjatë këtyre ditëve pasi gjendja e grevistëve sa vjen dhe rëndohet.
Nga ana tjetër, përflitet se Partia Socialiste ka gati skenarin e zëvendësimit të të larguarve nga greva, vetëm e vetëm që të mos ndërpritet masa ekstreme e ndërmarrë prej saj, si një formë presioni ndaj qeverisë për të kryer me çdo kusht transparencën e zgjedhjeve.
n.e/NOA