English

Lohan: Klasa Politike Të Vendosë Frymën E Dialogut Konstruktiv Në Kuvend

- Shefi i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë flet në konferencën me temë "Mbështetja italiane për integrimin e Shqipërisë në BE" - TIRANË, 19 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Shefi i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Ambasadori Helmuth Lohan tha sot, se "vendosja e frymës së dialogut konstruktiv politik midis gjithë forcave politike shqiptare është një prej fushave në të cilat kërkohet përparim". Sipas tij, "kjo duhet të bëhet në Kuvendin e Shqipërisë që është thellësisht funksional". Duke referuar në konferencën "Mbështetja italiane për integrimin e Shqipërisë në BE: një partneritet strategjik mes Italisë, Shqipërisë dhe Komisionit Europian", të organizuar në hotel Sheraton, Ambasadori Lohan u ndal te sfidat me të cilat përballet vendi në rrugën drejt integrimti në BE. "Një prej fushave ku ne do të ishim të lumtur të shihnim përparim është fryma e dialogut konstruktiv politik midis gjithë forcave politike në Shqipëri. Ne do të donim të shihnim shpirtin, apo frymën e këtij dialogu politik, në mënyrë konstruktive, pasi kjo është e nevojshme për të ecur përpara në shtegun drejt integrimit europian", tha ambasadori Lohan. Duke evidentuar disa nga fushat në të cilat kërkohet përparim nga Shqipëria, Lohan u shpreh se "përparim i mëtejshëm kërkohet në fushën e sundimit të ligjit, funksionimit të gjyqësorit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit". Ai theksoi se "me mjaft rëndësi është zbatimi i gjithë legjislacionit që gjendet në letër, por edhe i legjislacionit që do të miratohet dhe që synon ta afrojë Shqipërinë me BE-në". Shqipëria, sipas tij, "ka punuar mjaft për të përmbushur kushtet që kërkohen për të përfituar liberalizimin e vizave". "Shqipëria ka dorëzuar tashmë aplikimin për anëtarësim dhe është në procesin kur Komisioni Europian përgatit opinionin e vetë për këtë aplikim. Administrata shqiptare ka punuar jashtë mase për të përgatitur përgjigjet e 2284 pyetjeve të drejtuara nga KE", tha ambasadori Lohan. Duke iu referuar dorëzimit të pyetësorit, ai theksoi se janë mijëra faqe që janë dërguar në Bruksel, ndërkohë që ka marrë reagimet e para, të cilat janë relativisht pozitive për këtë proces. "Nëse do të hidhnim vështrimin prapa, distanca e përshkuar nga Shqipëria është mjaft e madhe. Megjithatë edhe po të hedhim vështrimin para, rruga që duhet të bëjë Shqipëria është sërisht e jashtëzakonshme", tha Ambasadori Lohan./n.m/
KOMENTE