Tiranë, 19 maj, NOA - Të dhënat buxhetore për katër muajt e parë të vitit tregojnë se ekonomia nuk ka njohur rritje, pasi mbledhja e të ardhurave është më e ulët se norma e inflacionit.
Ky fakt, bashkë me vështirësinë që po has qeveria për të marrë borxh 400 milionë euro, e ka detyruar atë të shesë me urgjence hotel “Dajtin”, nëpërmjet një procedure, e cila është bërë në mungesë të plotë transparence dhe mbi të gjitha në shkelje ligjore, duke mos respektuar as parimet e konkurrencës.
Ish-ministrja e ekonomisë, Ermelinda Meksi sqaron se qeveria është në emergjencë për të gjetur burime të reja parash, pasi të ardhurat aktuale nuk garantojë as rritjen e pagave dhe pensioneve.
“Të ardhurat u rritën me vetën 2.9 % si katër mujor, ndërkohë që inflacioni është në masën 3.9%. Kjo është një dëshmi e qartë, se jo vetëm që s’kemi rritje ekonomike, por nga ana tjetër nuk ka vend për rritje pagash, por për indeksim”, shprehet Meksi.
Sipas saj një tjetër shqetësim serioz është rritja qe kanë pësuar shpenzimet korrente të qeverisë dhe thellimi i defiçitit në skemën e sigurimeve shoqërore.
E tërë kjo situatë tregon nevojën e qeverisë për para, ndaj shitja e beftë e hotel “Dajtit” është dëshmi e qartë e kësaj situate.
Ndërsa ish guvernatori, Shkëlqim Cani shkon edhe më tej në argumentin e tij, kur thotë se mungojnë të dhënat nga Banka e Shqipërisë që një blerje e tille ishte e parashikuar në buxhetin e institucionit.
Ndërkohë që nuk gjen përgjigje pyetja e madhe, se ku janë gjendur këto para nga banka në këtë fillim viti.
Sipas Canit, institucioni monetar ka shkelur rregulloren e prokurimeve, ku kërkohet nxitja e konkurrencës dhe përfitimi maksimal nga çdo tender.
“Pse u shit 30 milion euro, pse kjo shifër? Nuk kemi asnjë përgjigje. Në buxhetin e bankës nuk ka asnjë të dhënë. Të nxjerrësh më shumë se 50% të buxhetit të institucionit për të blerë një pasuri duhet të respektosh një sërë hallkash, ku vulën e fundit e vë këshilli mbikqyrës”, shprehet Cani.
Sipas tij nuk është bërë asnjë debat në bankë lidhur me destinacionin e një shumë të tillë parash, e cila është e konsiderueshme për buxhetin e bankës.
Në këtë proces, vijon më tej Cani, ka mungesë transparence si nga shitësi edhe nga blerësi i kësaj pasurie. Për të gjitha këto pyetje që vijnë pas një transaksioni të tillë, Banka e Shqipërisë nuk ka dhënë asnjë shpjegim. Por vendimi i Këshillit të Ministrave për kalimin e pronësisë së hotel “Dajtit” është formuluar në mënyrë të tillë që sërish kjo pasuri të mund ti kthehet në zotërim, qeverisë.
r.l/NOA