Tiranë, 19 maj, NOA - Një numër i madh lejesh dhe licencash që nevojiten për investime në fushën e energjisë do të kalojnë që të gjitha në sportelin unik, në Qendrën Kombëtare të Lejeve dhe Licencave.
Ky është vendimi që është marrë sot në mbledhjen e qeverisë duke miratuar ngritjen e sportelit të vetëm, “one stop shop”, për lejet dhe licencat në fushën e energjisë.
Kryeministri Berisha theksoi se ky vendim është një hap i rëndësishëm për thjeshtimin dhe lehtësimin e pajisjes së investitorëve me leje dhe licenca, në fushën e energjisë.
“Një numër i madh lejesh dhe licencash që nevojiten për investime në fushën e energjisë, kalojnë që të gjitha në sportelin unik, në Qendrën Kombëtare të Lejeve dhe Licencave, e cila shënon një sukses të vërtetë që brenda vitit të parë të ‘jetës’ së saj”, tha Berisha.
Ai shtoi se gjatë dy muajve të fundit, Ministria e Ekonomisë ka rishqyrtuar të gjitha procedurat ligjore dhe nënligjore që nevojiteshin dhe me këtë vendim procedurat thjeshtohen më tepër.
m.xh/NOA