English

Operacioni “Bulevard”, arrestohet banda e studentëve në Tiranë, shpërndanin drogë

Tiranë, 19 Maj, NOA – Një grup studentësh kanë arritur të organizojnë një rrejt shpërndarje të drogës në qendër të Tiranës. Operacioni i policisë, i koduar me emrin “Bulevard”, ka arritur të arrestojë 9 prej tyre dhe të sekuestrojë sasinë prej 1 kilogram e 300 gramë canabis sativa.

Banda e studentëve e kryente shpërndarjen në bulevardin “Zogu I”. Për këtë qëllim ata kishin marrë një banesë me qera në këtë zonë, ku mbanin të fshehur dhe drogën.

Personat e arrestuar janë; Klevis Meleq Abazaj, 19 vjeç, banues në Tiranë, Xh.G, 17 vjeç, banuese në Tiranë, Gjergji Llazar Ndini, 20 vjeç, banues në Tiranë, Gerin Fatmir Hasaj, 20 vjeç, banues në Tiranë, Ervin Bajram Taullau, 26 vjeç, banues në Tiranë,

Ergys Rustem Hasaj, 21 vjeç, banues në Tiranë, Armand Ilmi Beaj, 22 vjeç, banues në Yzberisht, Tiranë, Albano Agim Kolonjari, 20 vjeç, banues në Tiranë dhe Alban Idajet Belulaj, 21 vjeç, banues në Tiranë.

Policia sqaron se nga hetimet e realizuara nga strukturat e seksionit Kundër Narkotikëve në Tiranë, dyshohet se lënda narkotike vinte nga jugu i Shqipërisë, nga shtetasit Klevis Abazaj dhe XH.G.

Dy personat “vinin si miq në banesën e marrë me qera nga shtetasit e tjerë, me synim më pas shpërndarjen e lëndës në Tiranë”.

Kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i tyre u bë dje në mesditë në rrugën “Maliq Muço”, në afërsi të Bulevardit “Zogu I”.

Përveç drogës janë sekuestruar 8 telefona celular si dhe shuma e parave 139 000 lekësh.

m.xh/NOA

KOMENTE