English

Përurimi i dytë i tunelit të rrugës Durrës-Kukës

Thirrë, 19 maj, NOA /Rajmonda Lajthia – Përurim i dytë brenda një viti, i bie të jetë ai i parashikuari të realizohet gjatë ditës së premte për tunelin e Thirrë-Kalimashit, pjesë e rëndësishme e rrugës Durrës-Kukës.

Në më pak se një vit, ai u përurua me bujë të madhe nga ana e kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, por nuk do të kalonte shumë kohë dhe ai do të bëhej i pakalueshëm për shkak të dëmtimeve që ndodhën brenda tij.

E kështu, ceremonia që ministria e Punëve Publike dhe Transporteve paralajmëron të mbajë pasnesër në këtë tunel, ka për të qenë e dyta e përurimit të punimeve të tij.

Nëse e para ishte ajo e përfundimit të tyre, duke realizuar hapjen e këtij tuneli, kjo e dyta përkon me rehabilitimin e punimeve të kryera, në mënyrë që të mos paraqesë më rrezik për aksidente,.

Sipas të dhënave, mësohet se kanë përfunduar te gjitha punimet dhe nuk ka më rrezik shembjeje në galerinë e brendshme të tij e se rruga është gati për t’u vënë në funksion të transportit të automjeteve.

Thuhet gjithashtu se ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, pritet të jetë të premten në ceremoninë e hapjes së tunelit, i cili do të jetë në funksion të plotë nga ora 10 e paradites.

Në qershor të 2009, pak ditë para zgjedhjeve, tuneli u përurua me shumë bujë nga kryeministri shqiptar dhe ai kosovar.

Por pas pak kohësh, kjo vepër publike shfaqi probleme serioze që vinin ne rrezik jetën e kalimtarëve, duke u mbyllur për afro 8 muaj. Kjo situatë erdhi pasi tuneli u hap para afatit të parashikuar nga ekspertët.

r.l/n.e/NOA

KOMENTE