Qkll Do Të Japë Lejet E Licensat Për Investime Në Energjitikë
- Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave -
TIRANË, 19 Maj/ATSH-Anila Struga/.- Qeveria vendosi sot që lejet dhe licensat për investime në fushën e energjisë të jepen nga Qendra Kombëtare e Lejeve e Licensave (QKLL).
Kryeministri Sali Berisha duke informuar për këtë vendim në mbledhjen e sotme të qeverisë, vlerësoi ministrinë e Ekonomisë në këtë proces në zbatim të orientimeve të Task Force.
"Ministria e Ekonomisë gjatë dy muajve të fundit ka rishqyrtuar të gjitha procedurat ligjore e nënligjore që nevojiteshin dhe me këtë vendim që miratojmë sot, shënojmë një hap shumë të madh përpara në thjeshtimin, lehtësimin e pajisjen me leje e licensa të investitorëve në energjitikë", u shpreh kryeministri Berisha.
Duke folur për energjinë, si prioritet absolut dhe madhor të qeverisë, ai tha se gjatë tre viteve të fundit janë firmosur mbi 200 kontrata për hidrocentrale.
"Nëse për 30 vjet me radhë në këtë vend nuk u shënua qoftë dhe një burim i vetëm energjie, kam shumë kënaqësi t'i informoj shqiptarët se gjatë 3 viteve të fundit janë firmosur mbi 200 kontrata për hidrocentrale të të gjitha kalibrave, nga më të vegjëlit, tek më të mëdhenjtë në Europë", nënvizoi kryeministri.
Në këtë kuadër informoi ai "është firmosur kontrata për kaskadën e Devollit, me vlerë mbi 1 miliardë euro dhe kompani nga më seriozet në Europë po punojnë intensivisht për të ndërtuar një nga veprat energjitike më të arrira të kohës".
Sipas kryeministrit po punohet me intensitet në Kalivaç, Ashtë dhe në 36 hidrocentrale të tjera të vogla e të mesme, ku dy apo tre prej tyre janë të gatshëm për inagurim.
"Kalimi në Qendrën unike i pajisjes së investitorëve me leje e licensa krijon një lehtësim të madh dhe i jep një goditje korrupsionit dhe burokracisë", theksoi kryeministri Berisha./n.m/