English

Rama falënderon grevistët: Shpreh mirënjohje

Tiranë, 19 maj, NOA – “Ju shpreh mirënjohjen e thellë për kurajon dhe këmbënguljen dhe mbi të gjitha pasionin, që u bëtë pjesë e kësaj rruge të vështirë. Kjo mirënjohje është për ata të cilët nuk i janë ndarë kësaj proteste të pandalshme. Por edhe për të gjithë ata që na kanë ndjekur, duke u bërë pjesë e kësaj rruge secili me mundësitë e tij”.

Kështu është shprehur, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, në protestën e radhës së opozitës para godinës së Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit e grevës së urisë, si edhe protestave të opozitës në tërësi.

“Kjo është rruga e vështirë e së vërtetës që bie ndesh me trysninë e pushtetit, ku mbahet peng demokracia shqiptare”, e cilësoi ai nismën ekstreme të grevës së urisë të ndërmarrë nga protestuesit e opozitës.

Sipas tij, kjo “është rruga e vështirë e një kapërcimi historik, nga kapitulli rraskapitës i zgjedhjeve të deformuara dhe të kontestuara, në një kapitull të ri të zgjedhjeve të lira e demokratike, pjesë e rrugës së Shqipërisë si gjithë Evropa”.

“Kemi përjetuar në këtë rrugë të stërmundimshme, situata nga më të vështirat, mes shpifjeve dhe sulmeve nga të katër anët, por edhe momente ngazëllyese kur ëndrrat dhe shpresat tona u derdhën në këtë bulevard për lirinë e votës. Trupat e grevistëve treguan se idealet në këtë vend nuk kanë vdekur dhe as janë katandisur në fjalë boshe”, tha më tej kryesocialisti në fjalën e mbrëmjes së sotme që është duke mbajtur aktualisht para grevistëve.

Duke përfunduar se “këta grevistë kanë bërë për të gjithë ne diçka madhështore, për të cilën, ne të gjithë u përulemi me mirënjohjen dhe respektin më të madh”.

“Kanë bërë diçka të paharrueshme për kujtesën opozitare të këtij vendi, nga fletët e kujtesës së demokratizimit të këtij vendi, që koha do ta kthejë në vlerë të këtij vendi”, tha Rama ... (vijon).

n.e/NOA

KOMENTE