English

Regjistroi në shkollë 4 nxënës kundrejt parave, arrestohet bashkë me ta mësuesi

Fier, 19 maj, NOA – Një mësues u mori katër nxënësve nga 1-1.2 milionë lekë dhe më pas, nëpërmjet dokumentave të falsifikuara mundësoi regjistrimin e tyre në vitin e katërt të shkollës së mesme, në një kohë kur ata s’kishin përfunduar ende vitet e tjera të saj.

Ngjarja konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të Fierit, të cilat bëjnë me dijeni se ajo ka ndodhur konkretisht në shkollën e mesme të Levanit, ndërsa është ndaluar autori i saj, Asllan Hetemi 44-vjeç, me profesion mësues.

Nën operacionin e koduar “Diploma”, pas një pune 2-javore investiguese, u bë i mundur dokumentimi ligjor i veprimtarisë kriminale të “Falsifikimit të dokumentave shkollore”, “Korrupsionit pasiv”, “Korrupsionit aktiv” si dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

Por në kuadrin e këtij operacioni, prej forcave policore të Fierit, u ndaluan edhe tre persona të tjerë të përfshirë në këtë vepër të jashtëligjshme si Renaldo Gashi, 20-vjeç; Eduart Kasaj, edhe ky 20-vjeç si edhe Kreshnik Maloku, 26-vjeç, student.

Raportohet se konkretisht; shtetasi mësuesi i Levanit, Asllan Hetemi, në bashkëpunim me studentin Kreshnik Maloku, u kanë marrë paratë e lartpërmendura nxënësve Renaldo Gashi, Eduart Kasaj, Petrit Gashi dhe Alban Kajolli; ndërsa këta dy të fundit po procedohen penalisht në mungesë.

Sikundër, bëhet me dijeni se procedimi ka nisur edhe ndaj drejtoreshës së shkollës së mesme të Levanit, Sanie Dulla, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, pasi ka bërë regjistrimin e nxënësve të lartpërmendur.

n.e/NOA

KOMENTE