Reportazh/Kukës: Projekte Të Sukseshme Në Ndihmë Të Bujqësisë
KUKËS, 19 maj /ATSH-R.Hoxha/ - Rritja e sipërfaqes së tokës bujqësore me pemëtari e vreshtari sa vjen e po rritet në qarkun e Kukësit, ku falë Agjencisë së Zhvillimit të Zonave Rurale, fermerët përmes miniprojekteve përfitojnë fonde për shtimin e sipërfaqes së mbjellë.
"Shtimi i pemëtarisë e vreshtarisë po zë një vend të rëndësishëm. Kjo ka një arsye: në kushtet e largimit drejt emigracionit të rinisë, shfrytëzimi i tokës bujqësore po shihet gjithnjë e më tepër më efikas për t'u shfrytëzuar përmes pemëtarisë e vreshtarisë, ku edhe interesi financiar i banorëve është më i madh", thotë për ATSH-në përgjegjësi i zyrës këshillimore në drejtorinë rajonale të bujqësisë, Sefedin Mata.
Fermerët çdo ditë këshillohen me të. "Po të mos jenë specialistët, investimet që po kryejmë nuk do të kishim këto pemëtore që edhe tani në pranverë t'a kënaqin syrin", thotë Tërshalla.
Rritja e interesit
Kur nisi projekti 4 vite më parë në qarkun e Kukësit, mezi fituan 90 fermerë.
"Ishte fillimi, edhe frikë kishim, por edhe nuk dinim. U lidhëm me specialistët si të bënim projektin," tregon Medi Taçi, që ka përfituar nga projekti duke mbjellë 4 ha vreshta.
Ndërsa Bashkim Keçi tregon se pemëtorja e tij me kumbulla ka nisur të japë prodhim.
Nga projekti, në vitin e parë përfituan 90 fermerë, ndërsa në vitin e dytë 110 fermerë. U nis me projekte me 2-3 dynym e tani përmes këtyre projekteve është arritur të krijohen pemëtore e vreshtari deri në 4 dhe 5 ha. Në blegtori bashkëpunimi nisi me ngritjen e fermave me jo më pak se 10 lopë e me kusht që prodhimin ta dorëzojnë në qendrat e përpunimit të regjistruara në degën e tatim taksave.
Përmes këtij projekti është mundësuar edhe futja e teknologjive të reja në ujitjen e të mbjellave që konsiston në ujitjen me pika.
Man Rexha ka një pemëtore prej 1 ha, me mollë. "Ujitjen e kryej me pika, është një teknologji bashkëkohore. Po ashtu kam ndërtuar edhe një dhomë frigoriferike me kapacitet prej 200 kuintalësh," tregon ai.
"Mani është i pari që ka realizuar këtë teknologji ujitjeje, ndërsa po i nxisim edhe fermerët e tjerë që kanë pemëtore e vreshtari mbi një ha. Është me shumë leverdi",ndërhyn Sefedini.
Sukseset e para tashmë kanë nxitur edhe indiferentët.
"Nga viti në vit po rritet numri i projekteve që përgatisin fermerët, aq sa tani kemi nisur t'i analizojmë me kujdes që të fitojnë edhe ata që deri tani nuk kanë fituar, pasi edhe fondi është i limituar", thotë Sefedini.
Kështu ndodhi edhe në vitin e tretë të zbatimit të këtij projekti. Përmes skemave të nxitjes e ndihmës financiare janë mbjellë mbi 200 ha pemëtore, janë mbështetur mbi 50 fermerë për ngritjen e fermave blegtorale, 36 ferma bletësh që së bashku kapin shumën e 70 milionë lekë.
Bashkëpunimi ka vazhduar edhe këtë vit, ndonëse fondi ka pasuar një lloj rënieje. Nga specialistët parashikohet që edhe në vitet e ardhshme të rritet sipërfaqja e zënë nga pemëtaria, pasi jo vetëm nuk kërkon shumë punë në krahasim me bimët bujqësore, por edhe se zë sipërfaqe toke të pronarëve që tashmë janë larguar në drejtim të zonës fushore.
Nuk është vetëm ky projekt që po ndryshon mentalitetin për zhvillimin e zonave rurale. Janë miliona lekë të shpenzuara për ndërtimin e linjës së patates në qytetin e Kukësit, apo rehabilitimin e veprave ujitëse. Kësisoj edhe në zonat rurale, jeta po merr kuptimin e vet.
Në rrethin e Tropojës kultivohet gështenja dhe arra. Kështu numri i rrënjëve të gështenjës ka arritur në mbi 220 mijë, nga 197 mijë që ishte dy vjet më parë, ndërsa me pemë arre, 47 mijë rrënjë nga 40 mijë rrënjë që ishin dy vjet më parë.
"Kultivimi i gështenjës po zë vend kryesor, jo vetëm se kërkon pak shpenzime, por ka edhe një treg të garantuar, bile me mjaft leverdi, pasi për këtë produkt është rritur interesi i biznesmenëve të huaj nga Austria, Turqia, apo Maqedonia", thotë Sefedini.
Ai tregon se vetëm vitin e kaluar nga fermerët janë mbjellë mbi 3000 rrënjë pemë frutore, kryesisht kumbulla, mollë e qershi në rrethin e Kukësit, 1200 rrënjë në rrethin e Hasit dhe 1800 rrënjë në rrethin e Tropojës. Po ashtu janë mbjellë edhe 2100 rrënjë pjergulla në rrethin e Kukësit, 850 rrënjë në rrethin e Hasit dhe 1600 rrënjë në rrethin e Tropojës.
Fermerët me organizatën e tyre
Tani fermerët kanë edhe shoqatën e tyre. U ngritën shoqatat me numër të kufizuar fermerësh, ndërsa tani në të 3 rrethet ato funksionojnë duke organizuar edhe panaire që u shqërbejnë për t'u lidhur me tregtarët, por edhe për të shkëmbyer përvojën me njëri-tjetrin.
"Tani jemi pjesëmarrës të rregullt të panaireve që organizohen këtu", tregon fermeri Elez Mazreku nga Hasi. Ndërsa fermeri Muharrem Dibra shtron një problem tjetër.
"Nga shoqata kërkojmë më shumë vemendje për reklamën, pasi ajo mungon. Me pak kujdes e reklamë të prodhimit tonë, mund të kapim edhe tregun e Kosovës, apo të Tiranës, Durrësit etj. Pasi autostrada po na afron edhe me këto qytete", thotë Muharremi.
"Malli është cilësor, por reklama ende në hapat e parë është një problem që duhet ta zgjidhim së bashku," thotë Sefedini./ch/