Rumania Voton Një Ligj Për Lustracionin Kundër Ish-Zyrtarëve Komunistë
BUKURESHT, 19 maj /ATSH-AFP/ - Parlamenti rumun votoi sot një ligj për lustracionin që do të ndalojë ish-zyrtarët e regjimit komunist të marrin pjesë në funksionet publike për pesë vjet.
Dhoma e Deputetëve miratoi tekstin me 203 vota pro, 40 vota kundër dhe 12 abstenime.
Senati rumun i kishte hapur dritën e gjelbër që në vitin 2006.
Ligji do të hyjë në fuqi sapo të nënshkruhet nga presidenti i qendrës së djathtë, Traian Basescu.
Personat që kanë bërë pjesë në strukturat drejtuese të Partisë Komuniste, në Këshillin e Ministrave si dhe ato që kanë pasur funksione në drejtimin e qendrave të burgjeve politike ose komandantët e milicisë gjatë periudhës komuniste, 6 mars 1945-22 dhjetor 1989 nuk mund të përfshihen në funksionet publike për një periudhë pesëvjeçare pas hyrjes në fuqi të ligjit./
/ec/ a.jor.