English

Rusi - Khodorkovski Ndërpren Grevën E Urisë

MOSKË, 19 maj /ATSH-ANSA/ - Ish-padroni i kompanisë së naftës Yukos, Mikhail Khodorkovski, ka vendosur të ndërpresë grevën e urisë pasi u njoftua se Kremlini ishte informuar për protestën dhe kauzën e tij, njoftuan agjencitë e lajmeve ruse duke cituar avokatin e tij Iuri Schmidt. Pak orë më parë, zëdhënësja e presidentit, Natalia Timakova, deklaroi se "presidenti është në dijeni për letrën e hapur të Mikhail Khodorkovski që i është dërguar presidentit të Gjykatës së Lartë". Në letër Khodorkovski shpjegon se presidenti i Gjykatës së Lartë, Viktor Danilkin, ka injoruar një dekret të kohëve të fundit të presidentit Medvedev, i cili parashikon se personat e akuzuar për krime ekonomike nuk duhet të mbahen në paraburgim. Oligarku, një herë e një kohë një nga më të pasurit në Rusi, është dënuar me tetë vjet burgim për mashtrime dhe evazion fiskal. Aktualisht po zhvillohet në Moskë një tjetër proces gjyqësor ku ai po përballet me akuzën se ka përvetësuar rreth dhjetë miliardë dollarë të gjeneruara nga Yukos ndërmjet viteve 1999 dhe 2003, së bashku me 350 tonë naftë. /e.v/
KOMENTE