English

Sarandë: Një Far I Ri Orienton Nga Lëkurësi Trafikun E Mjeteve Lundruese Në Kanalin E Korfuzit

SARANDË, 19 Maj/ATSH-Telnis Skuqi/ - Fari i ri, i ngritur në afërsi të Kalasë së Lëkurësit, mbi qytetin e Sarandës, ka kaluar sot provën e parë të funksionimit të tij. Konstruktorë italianë dhe shqiptarë, që mundësuan ngritjen e tij në këtë vend, thanë për ATSH-në se ky është investimi më i madh i kësaj fushe në vendin tonë dhe një ndër më të mëdhenjtë në Ballkan. Gëzim Koçi, komandant i shërbimit hidrologjik shqiptar, tha se fari ka një thellësi shfaqjeje që shkon deri në 25 milje dhe do të shërbejë për orientimin e lundrimit të të gjithë anijeve, peshkatoreve dhe trageteve të udhëtarëve që përshkojnë Kanalin e Korfuzit e më gjerë dhe të tjerë që mbërrijnë në gjirin e Sarandës. "Shpresojmë ta vëmë në punë brenda këtyre ditëve", shprehet Koçi. Aleksandër Napolione, ushtarak italian, sqaroi se fari i Lëkurësit ka një mbulesë të tejdukshme dhe brenda tij është vendosur një optikë rrotulluese. Napolione tregon se fari ka të instaluar një impiant për të ushqyer optikën rrotulluese, që përbëhet nga një llampë halogjene prej 1000 vat, një stabilizator tensioni, një karikues baterie dhe grup akumulatorësh dhe gjithë aparatet për komandën elektrike, ndërkohë që garantohet funksionimi i tij i pandërprerë edhe në rast se ushqyerja me energjie elektrike ndërpritet për një kohë të gjatë./s.s./
KOMENTE