English

Sejdiu: Ish-Jugosllavia nuk është më, ne të pavarur

Malajzi, 19 maj, NOA - Kosova është pavarësuar nga një shtet i cili nuk ekziston më, siç ka qenë ish-federata e Jugosllavisë, e shpërbërë sipas tij, pas luftërave tragjike që shkaktoi Serbia e drejtuar nga Millosheviçi.

Një fakt të tillë, presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka theksuar në Malajzi, gjatë Forumit Ekonomik Islamik Ndërkombëtar, në të cilin po marrin pjesë edhe shumë liderë shtetesh të Organizatës së Konferencës Islamike.

“Kosova ka qenë element konstituiv i kësaj federate shumëkombëshe. Tashmë shtatë shtete të pavarura janë krijuar në gërmadhat e kësaj federate dhe Kosova është njëri nga këto shtete”, ka thënë ai.

Më tej, mësohet se Sejdiu ka pasqyruar para pjesëmarrësve të këtij forumi të dhënat aktuale të vendit të tij, të cilat i ka vlerësuar si premtuese pas shpalljes së pavarësisë.

“Kosova nuk do t’i harrojë kurrë tragjeditë e tmerrshme që ka përjetuar nën pushtetin e dhunshëm të Serbisë. Megjithatë, ajo është e vendosur të shikojë nga e ardhmja për të mirën e qytetarëve të saj, për të mirën e gjeneratave të ardhshme dhe të të gjithë popujve të rajonit. Kosova ia ka shtrirë dorën e miqësisë Serbisë, përkundër të gjitha tragjedive që ajo na i ka shkaktuar në të kaluarën”, mësohet të jetë shprehur Sejdiu.

n.e/NOA

KOMENTE