English

Sport-Profil/ Elis Bakaj, Lider I Dinamos Në Triumfin E Titullit Të 18-Të Kampion

- 22-vjeçari u shndërrua në liderin e padiskutueshëm të bluve në këtë sezon -. TIRANË, 19 Maj /ATSH -Gjergji Mima/ - Për Elis Bakajn, i shpallur "Lojtari më i mirë, 2009" me Dinamon është titulli i parë në karrierën e tij në sezonin e dytë me blutë, më saktë 1vit e 6 muaj, pasi mesfushori i Kombëtares u transferua nga Partizani në janar 2009, vetëm një muaj pasi trajneri aktual i 18-herë kampionëve të Shqipërisë, Shkëlqim Muça të pasonte në detyrë kroatin Zllatko Daliç. Në fakt, 22-vjeçari Bakaj (mbush 23, më 25 qershor) mban dy rekorde absolute në futbollin shqiptar: i pari është lojtari më i ri në moshë i aktivizuar në një ndeshje ndëkombëtare, (vetëm 16 vjeç e 354 ditë), kur në radhët e Partizanit aktivizohej kundër ekipit izraelit Makabi Netanjau në vitin 2003, turi i parë i Kupës Intertoto. I aktivizuar nga trajneri Perlat Musta në shtatë minuta lojë në ndeshjen e tij të parë me të kuqtë. Rekordi i dytë, është lojtari me transferimin më të shtrenjtë ndërmjet dy ekipeve. Dinamo pagoi 100 mijë euro për të blerë kartonin e tij nga Partizani. Goli i parë i Bakajt, lidhet indirekt me Dinamon pikërisht në vitin 2004, në moshën 17-vjeçare, në ndeshjen e kupës, çerekfinale Partizani-Elbasani 2-1, ku goli i tij i dha kualifikimin për në finale Partizanit të Memës, që fitoi edhe Kupën e Shqipërisë, në një finale me Dinamon (1-0). Goli i fundit i tij, u realizua në ndeshjen e javës së 32-të në humbjen 3-2 kundër Tiranës, njëherësh edhe i 14-ti sezonal. Bakaj është golashënuesi më i mirë i saj dhe i treti nga goleadorët e këtij sezoni, më të njëjtin numër golash edhe me Migen Memellin e Flamurtarit dhe Arlind Norën e Flamurtarit. Në ndeshjen kundër Besës, përballë Bakajt do të jetë Daniel Xhafaj, autor i 17 golave për verdhezinjtë dhe favoriti kryesor për fitimin e "Këpucës së artë". Në fakt, Dinamo, nuk regjistron një fitues të "këpucës së artë" qysh nga sezoni 1975-1976, kur Ilir Përnaska fitonte garën me kundërshtarët e tij pasi kishte shënuar atë sezon 18 gola, në një sezon po me 12 skuadra, por me vetëm dy faza: 22 ndeshje. Por ndërsa Dinamo e atij sezoni (trajner Durim Shehu) fitonte kampionatin (titulli i 10-të i saj) dhe "Këpucën e artë", këtë sezon, blutë do të fitojnë vetëm titullin, pasi me shumë gjasa "këpuca e artë" do t'i përkasë Daniel Xhafajt. Në fakt, Daniel Xhafaj i shënoi tre golat e tij të fundit, në ndeshjen Besa-Gramozi që përfundoi me rezultatin 6-4. Për futbollistin shqiptar Bakaj është folur shpesh për një transferim të mundshëm jashtë dhe për të janë përmendur emra të tillë si Borusia Dortmund (Gjermani), Kievo (Itali), Inter Baku (Azerbajxhan), Liteks Loveç (Bullgari) e se fundi Erzgebirge (Gjermani), ndërsa para tre sezonesh ai ishte një provë te Pas Janina në Greqi. Bakaj ka qenë një lojtar i të gjitha kombëtareve të moshave, U-17, U-19 e U-21, dhe tashmë është anëtar i përhershëm i Kombëtares shqiptare, së bashku edhe me Emiljano Vilën. I pari, që e aktivizoi Elis Bakajn me Kombëtaren A në një ndeshje ndërkombëtare, ishte ish-trajneri Oto Bariç, disa minuta në ndeshjen kundër Rumanisë, të humbur 6-1. Ish-trajneri holandez Ari Han dhe kroati Josip Kuzhe e kanë thirrur në mënyrë të përhershme 22-vjeçarin. Dhe kur luante me Partizanin, skuadrën e parë të tij./n.m/
KOMENTE