Tajlandë - Të Paktën Pesë Viktima Në Përleshjet Mes Protestuesve Dhe Ushtrisë
BANGKOK, 19 maj /ATSH-AFP/ - Të paktën pesë persona, ndër të cilët një gazetar italian, mbetën të vdekur mëngjesin e sotëm gjatë përleshjeve mes manifestuesve dhe forcave ushtarake në kampin e tërhequr të "këmishave të kuqe" në Bangkok, njoftuan disa burime policore.
"Të vdekurit janë katër, pa llogaritur gazetarin e huaj", deklaroi Piya Uthayo, zyrtar i policisë së Bangkokut. Ndërkohë që po sipas këtij burimi janë plagosur me dhjetëra persona të tjerë.
Pak më parë, spitali ushtarak, që ndodhet jo shumë larg "zonës së kuqe", bëri publik njoftimin për vdekjen e një fotoreporteri italian, rreth 48 vjeç.
Një tjetër gazetar, me kombësi holandeze, është plagosur dhe ndodhet në spital.
"Mua më goditën pas shpine dhe u plagosa në shpatull. Por, nuk është një plagosje e rëndë", deklaroi Michel Maas, reporteri i zyrës së televizionit publik holandez në Xhakarta.
Përplasje u përshkallëzuan në lagjen e ''zënë nga këmishat e kuqe" pas hyrjes së trupave ushtarake në orët e para të mëngjesit ./
/i.p/