Vdekja E Ish-Boksierit Dhori Gërnjoti, Humbje Për Gjithë Boksin Shqiptar
TIRANË, 19 Maj /ATSH, Gjergji Mima/ -Legjenda dhe ish-boksieri korçar Dhori Gërnjoti u nda mbrëmë nga jeta në moshën 67-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë.
Legjenda e boksit shqiptar, Dhori Gërnjoti filloi të merrej me boks që në moshën 14-vjeçare në ekipin e të rinjve, të themeluar nga babai i tij. Ndeshja e parë për Dhori Gërnjotin ishte ajo në vitin 1958, kur ishte vetëm 15 vjeç dhe ku u mund nga boksieri shkodran Viktor Martini. Por kjo do të ishte humbja e parë dhe e fundit.
Në vitin 1959, Dhori së bashku me të vëllanë shpallen kampionë të Spartakiadës së Parë në Tiranë, ndërsa në 1960 Dhori zuri vendin e parë në grup në kampionatin kombëtar të të rinjve. Dy vjet më pas, në vitin 1962 në kampionatin kombëtar të të rriturve mundi në finale boksierin e famshëm Daniel Vida.
Karriera brilante e boksierit korçar dhe ëndrra e tij u ndërpre në vitin 1962, kur së bashku me tre shokë vendosi të arratisej për në Greqi, por u kap dhe ndaj tij nisi kalvari i vujatjeve në burgjet e regjimit komunist. Dhori Gërnjoti u dënua me 18 vjet heqje lirie për krimin e tradhëtisë ndaj atdheut në formën e arratisjes jashtë vendit dhe vuajti dënimin në burgun e Burrelit.
Tenton sërisht së bashku me disa shokë të arratisen, por nuk mundën veçse të kalonin rrethimin e burgut, pasi u ndaluan nga breshëritë e plumbave të rojeve. Në vitin 1967 gjykohet sërish dhe dënohet me vdekje, me pushkatim, por më pas ky dënim u kthye në 25 vjet burgim.
Pasi vuajti plot 20 vjet burg, në vitin 1987 Dhori Gërnjoti u la i lirë. Në fillim të viteve '90, i rikthehet edhe një herë ringut së bashku me të mirënjohurin Ahmet Golemi në një ndeshje simbolike në qytetin e Korçës, ku dhuroi emocione të paharruara për të gjithë adhuruesit, duke shënuar dhe rifillimin e sportit të boksit në Shqipëri.
Ministri i Turizmit kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri me anë të një telegrami ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Gërnjoti, për humbjen e një prej figurave më të shquara të sportit shqiptar Dhori Grënjoti
"Me vdekjen e papritur të tij, familja humbi njeriun e dashur, sporti shqiptar humbi një personalitet të shquar i cili me forcën që e karakterizonte sfidoi jo vetëm ringun por edhe diktaturën", shkruhej në telegramin e ministrit Xhaferri.
Sot Dhori Gernjoti do të përcillet për në banesën e fundit. Zv/ministri i Sportit, Dashnor Bajaziti, këshilltari i Sportit në MTKRS, Indrit Fortuzi, etj, do të jenë prezent në ceremoninë mortore, që zhvillohet në qytetin e Korçës. /n.m/