Vlorë, Flamurtari Fiton Ndaj Shkumbinit, Rikonfirmohet Magani
VLORË, 19 Maj/ATSH-H.Koçi/.-Skuadra e Flamurtarit fitoi ndaj Shkumbinit me rezultatin 3-2 në takimin që u zhvillua pasditen e sotme në stadiumin e qytetit të Vlorës, në kuadrin e javës së fundit të Superligës.
Kuqezinjtë arritën të zhbllokojnë rezultatin në minutën e 30-të të pjesës së parë, kur Shehu konkludoi në portën peqinase. Pas kësaj, u duk se loja po hynte në rrjedhat e një përballjeje pa emocione, teksa të dy skuadrat shfaqnin shenjat e një pajtimi me rezultatin. Por, në minutën e 85-të Lena shënoi golin e dytë për Flamurtarin, ndërkohë që 5 minuta më pas, do të ishte i mirënjohuri Memelli që do të çonte në 3 numrin e golave për vendasit.
Nga ana e tyre, miqtë shënuan në minutën e 91-të përmes Branicës, ndërkohë që shkurtuan më tej diferencën e golave përmes Gjylës, në minutën e dytë shtesë.
Me këtë fitore Flamurtari u ngjit në kuotën e 47 pikëve, duke u klasifikuar në vendin e 5-të.
Pas përfundimit të takimit, kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, njëkohësisht edhe president i klubit të futbollit "Flamurtari", gjatë një prononcimi për shtypin, rikonfirmoi në stolin kuqezi për sezonin e ardhshëm trajnerin aktual Gugash Magani./s.s./