Tiranë, 19 maj, NOA – Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi vlerësoi sot si shenjë pozitive për zhvillimin e grevës, largimin e deputeteve të Partisë Socialiste. Ajo theksoi se vendimi i tyre ka qenë dinjitoz.
“Dua të shpreh, gjithashtu, kënaqësinë, që, të gjitha koleget deputete janë sot pranë familjeve të tyre, pranë nënave, bashkëshortëve dhe mbi të gjitha pranë fëmijëve të tyre. Uroj dhe shpresoj që do rikuperohet sa më shpejt dhe pa trauma të tjera largimi i tyre për më se dy javë nga shtëpia! Sot, jam e qetë, sepse zonjat deputete nuk do kenë më vuajtje trupore dhe as lodhje mendore”, u shoreh Vokshi.
Ajo e cilësoi këtë si një lajm të mirë dhe në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, përshëndeti këtë vendim.
“Dua të përshëndes vendimin e kolegeve të mia, deputete të Partisë Socialiste, për t’u larguar, më në fund, nga çadra aspak dinjitoze, e ngritur në mes të bulevardit të Tiranës nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama”, tha Vokshi.
Ajo shtoi se “pavarësisht se me vonesë, zonjat deputete të PS e kuptuan se fëmija është gjëja më e shtrenjtë në botë, është më i shtrenjtë se kryetari i partisë”.
m.xh/NOA