English

Vritet me hanxhar 29-vjeçari në Greqi, dy vëllezër shqiptarë gabuan shënjestrën

Kozan, 19 Maj NOA – Emigranti shqiptar i cili u gjet në grahmat e vdekjes në rrugë dhe ndërroi jetë pak orë më vonë në spitalin grek, është ekzekutuar me hanxhar nga dy vëllezër shqiptarë të cilët për shënjestër nuk kishin fatkeqin, baba i dy fëmijëve të vegjël, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.

Policia greke e Kozanit tha se ka shpallur si persona në kërkim, dy vëllezërit, përkatësisht 20 dhe 22 vjeç, si autorë të vrasjes në Aiani të Kozanit.

“Ne kemi vendosur të kërkojmë ndihmën e autoriteteve policore të Shqipërisë pasi kemi dyshime se dy shqiptarët kanë hyrë në territorin e vendlindjes së tyre menjëherë pas vrasjes së kryer”, - deklaroi një zyrtar i policisë lokale në Kozan.

Ai shtoi se nga hetimet ka dalë se autorët e dyshuar, emrat e të cilëve refuzoi t’i publikojë, ishin emigrantë të paligjshëm dhe kishin qëndruar kohët e fundit në zonën e Grevenasë.

Për më tepër, një prej vëllezërve, 22 vjeçari, rezulton i kërkuar për një tjetër krim. Dy vjet më parë kur ai ishte 20 vjeç, ishte dënuar me tetë muaj burgim në mungesë, për masakrimin me sëpatë të një tjetër shqiptari, moshatar me të, ngjarje e ndodhur në Kostur.

“Nga hetimet zbardhëm se nipi i dy vëllezërve, me banim në Aiani të Kozanit, ishte ankuar tek ata duke u thënë se një shqiptar në lagjen ku jetonte, e kishte ofenduar. Në këto kushte, dy vëllezërit kanë shkuar të sqarohen me viktimën, por ky i fundit u ka deklaruar se as që bëhej fjalë të ishte zënë me nipin e tyre”, - deklaroi policia e Kozanit duke sqaruar se nipi i të dyshuarve ishte marrë në pyetje lidhur me ngjarjen dhe kishte dhënë dëshminë e tij.

Dy të rinjtë nuk janë bindur nga pohimi i 29-vjeçarit por kanë nxjerrë një hanxhar dhe i kanë prerë fytin duke e lënë në pellg gjaku para oborrit të shtëpisë ku jetonte dhe më tej janë larguar nga vendngjarja.

n.s/r.n/NOA

KOMENTE