English

Berisha: Bashkëpunimi Me Ke-Në, Procesi Më Transparent Që Ka Njohur Vendi

- Kryeministri Berisha mbledh Komitetin Ndërministror të Integrimit - TIRANË, 20 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se "procesi i bashkëpunimit me Komisionin Europian është procesi më i gjerë dhe transparent që ka njohur vendi". Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit, Kreu i Qeverisë u ndal te ecuria e plotësimit të Pyetësorit të Komisionit Europian, duke theksuar se "janë dërguar rreth 170 pyetje shtesë, si dhe janë kërkuar sqarime dhe qartësime të mëtejshme". Duke e konsideruar këtë një praktikë normale që ndiqet nga Komisioni Europian, Kryeministri Berisha theksoi se "brenda datës 10 qershor, Shqipëria duhet të dorëzojë në Bruksel të gjithë materialin e kërkuar". Sipas tij, "Komisioni Europian do të dërgojë 9 misione në nivel ekspertësh për të parë nga afër situatën dhe kjo është metoda më transparente e Komisionit". Pyetësori i Komisionit Europian, sipas Kryeministrit Berisha, përbën dokumentin më të rëndësishëm për vendin. Ai theksoi se "deri tani vlerësimet për Pyetësorin kanë qenë pozitive dhe kjo është një arritje shumë e madhe". "Përgjigjet e Pyetësorit, që ne i dorëzuam në 14 prill në Bruksel, u trajtuan me një shpejtësi rekord, në një hark kohor më pak se 1 muaj. Siç pritej, ata dërguan një seri pyetjesh të reja dhe kërkuan sqarime të tjera, statistika, vendime dhe ligje", tha Kryeministri Berisha. Kryeministri Berisha bëri të ditur se "libri me 3854 faqe i dërguar nga Shqipëria është lexuar me vëmendje të madhe nga ekspertët dhe punonjësit e Komisionit Europian". /s.s./
KOMENTE