Bode: P/Ligji Për Kundravajtjet Administrative Njeh Gjobat Si "Tituj Ekzekutiv"
TIRANE 20 Maj/ATSH-A.Gjonaj/- Ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi të enjten në seancë plenare se p/ligji për "Kundravajtjet administrative" parashikon kthimin në "titull ekzekutiv" gjobat për kundravajtje administrative.
"P/ligji i ri përcakton jo vetëm përgjigjesitë e organit, por edhe procedurat të plota administrative si dhe përgjegjësive të vënies në ekzekutim të rasteve të kundravajtjeve", tha Bode.
Kreu i Financave u shpreh se p/ligji synon unifikimin e procedurave të shqyrtimit, gjykimit, ankimimit në marrëdhëniet administrative, duke ofruar zgjidhje edhe për një sërë rastesh, të cilat deri sot kanë qënë të pazgjidhura.
"Ligji për kundravajtjen administrative, që zbatohet deri sot, ishte i vitit 1993 dhe si rezultat i shtimit të autoriteteve publike si organet tatimore, doganore, Policia e Ndertimit, ajo Bashkiake dhe mjaft inspektoriate, bëri të domosdoshme përmirësimet ligjore, pasi këto autoritete nuk e gjenin veten në kuadrin ligjor ekzistues, duke bërë të pamundur edhe ekzekutimin e gjobave administrative", tha ministri Bode
Objekt i tij, sipas Bodes, janë aktet administrative të ndëshkimit administrativ, kundërvajtjet administrative të kryera nga persona juridikë e fizikë si dhe procedurat e ekzekutimit të dënimit administrativ të vendosura nëpërmjet një akti administrativ të vlefshëm.
Drafti tha ministri Bode, bën një rregullim të plotë të dinamikës së marrëdhënieve administrative në rastin e kundërvajtjeve.
Sipas tij, p/ligji përmirëson e harmonizon edhe pjesën tjetër të legjislacionit që lidhet me këtë fushë, duke përfshirë një sërë ligjesh dhe hallkash institucionale, që nuk e gjenin veten në ligjin ekzistues./n.m/