English

Britani - Një Deputete Me Ngjyrë Në Garë Për Kerun E Laburistëve

LONDËR, 20 maj /ATSH-AFP/ - Deputetja laburiste britanike Diane Abbott, e cila është deputetja e parë me ngjyrë e zgjedhur në Dhomën e Komuneve, bëri publike sot kandidaturën e saj për kryesimin e partisë Laburiste, që doli e mundur nga zgjedhjet e përgjithshme legjislative. Diane Abbott, e zgjedhur deputete në vitin 1987 dhe e cila është pjesë e krahut të majtë të partisë Laburiste, është e kandidatura e gjashtë për zgjedhjet që do të zhvillohen lidhur me kryesimin e Laburistëve, nga të cilat do të përcaktohet pasuesi i ish-kryeministrit, Gordon Brown. "Nuk duhet t'i lejojmë më Torët të pozicionohen në të majtën tonë lidhur me liritë civile, duhet të risjellim demokracinë në parti", theksoi Abbott, gjatë një interviste për radion 'BBC Four'. Ish-ministri i Jashtëm, David Miliband shihet si kandidati kryesor në garën për të marrë drejtimin e Laburistëve, për të cilën garon edhe vëllai i tij Ed Miliband, ish-ministri i Energjetikës. Dje kanë shpallur kandidaturën zyrtare edhe Ed Balls, aleat i ngushtë i ish-kryeministrit Gordon Brown dhe ish-sekretar shteti, deputeti John McDonnell, i krahut të majtë të partisë dhe Andy Burnham, ish-ministër i Shëndetësisë. Pas 13 vjetësh në pushtet, Laburistët ndodhen në opozitë përballë koalicionit qeveritar të kryeministrit konservator, David Cameron, i cili ka krijuar një aleancë me liberaldemokratët./ /i.p/
KOMENTE