English

Britanie Madhe - Cameron Dhe Clegg Shpalosin Një Marrëveshje Koalicioni "Historik"

" LONDËR, 20 maj /ATSH-AFP/ - Kryeministri britanik David Cameron dhe numri dy Nick Clegg shpalosën sot elementet e marrëveshjes së tyre për qeverinë e koalicionit e paraqitur si "historike" dhe që është shqyrtuar me hollësi nga analistët në kërkim të shenjave të mospërputhjes. "Ky dokument i hartuar brenda nëntë ditëve është unik dhe përfaqëson një program për pesë vite qeverisjeje", deklaroi liberaldemokrati Nick Clegg, zëvendëskryeministër i Britanisë së Madhe. Konservatori David Cameron pranoi se të dy partitë janë të detyruara të sakrifikojnë disa pika të programit të tyre elektoral për arritjen e kësaj marrëveshjeje. "Por, këto kompromise e kanë forcuar dhe jo dobësuar rezultatin përfundimtar", theksoi kryeministri. Në një demonstrim uniteti, dokumenti 34-faqesh u prezantua bashkarisht nga Cameron dhe Clegg, si dhe nga ministri i Financave George Osborne, ai i Tregtisë Vince Cable dhe ministrja e Brendshme Theresa May. Masat kryesore përfshijnë një reformë të sektorit bankar për shmangien e një ripërsëritjeje të krizës bankare. Parashikohet gjithashtu futja e një takse për bankat, krijimi i një komisioni të pavarur për të analizuar ndarjen e aktiviteteve të bankave të vogla dhe të investimeve dhe një projekt që synon t'ia besojë Bankës së Anglisë mbikëqyrjen e bankave dhe të institucioneve të tjera financiare. Për sa i përket Evropës, temë mosmarrëveshjesh të mëdha mes liberalëdemokratëve dhe konservatorëve, qeveria premton të luajë një rol të dorës së parë në Bashkimin Evropian, por thekson se asnjë pushtet i ri nuk mund të zgjidhet në Bruksel në të ardhmen, pa u bërë më parë një referendum. Qeveria konfirmon se Britania e Madhe nuk do ta marrë në konsideratë një anëtarësim në zonën euro gjatë legjislaturës në vijim, pavarësisht kërkesave fillestare të liberaldemokratëve të cilët kërkojnë të shqyrtohet kjo mundësi në kohën e duhur. Në fushën e politikës së jashtme, Londra angazhohet për mbështetjen e forcave të saj në Afganistan dhe në vende të tjera, për nxitjen e paqes në Lindjen e Mesme nëpërmjet njohjes së shtetit të Izraelit në mënyrë universale dhe njohjes së një shteti palestinez sovran dhe të qëndrueshëm. Qeveria britanike kërkon gjithashtu "një marrëdhënie të posaçme" me Indinë dhe një marrëdhënie të fortë, të ngushtë dhe të vërtetë me Shtetet e Bashkuara. /I.Pu.
KOMENTE