Bruksel, 20 maj, NOA – Monedha evropiane Euro, pas një rënie të konsiderueshme që ka shënuar pak ditë më parë në tregjet financiare kundrejt dollarit amerikan, ka nisur të tregojë shenjat e para të përtëritjes së saj.
Kështu, në bursën e Nju Jorkut një Euro u këmbye me 1.24 dollarë, rreth 2 % më shumë se të martën, kur valuta e përbashkët evropiane ra në nivelin më të ulët në katër vitet e fundit.
Ekspertët vlerësojnë se rritja e vlerës së Euros u bë pasi autoritetet gjermane ndaluan tregtimin e disa aksioneve spekulative.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të shprehej dje se “dështimi i Euros, do të thotë dështim i vetë Bashkimit Evropian”, prandaj një gjë e tillë, sipas saj, nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë.
E për këtë arsye, ajo bëri thirrje për reforma të thella fiskale, duke paralajmëruar për “pasoja të pallogaritshme” për Bashkimin Evropian nga kolapsi i mundshëm i Euros.
n.e/NOA