English

Çelet Në Tiranë Salloni I Librit Italo-Shqiptar

TIRANË, 20 Maj /ATSH- Edmond Prifti/.- Nën sloganin "Letërsia dhe Integrimi", shtëpi botuese nga Italia dhe Shqipëria prezantuan të enjten pasdite në Tiranë, librat e tyre më të rinj të hedhura në treg në kuadër të programit "Shqipëri- Itali, dy popuj, një det, një miqësi". Salloni i Librit, i planifikuar për t'u çelur më 23 prill 2010, në Ditën Botërore të Librit, u shty nga mbyllja e aeroporteve për shkak të hirit vullkanik të Islandës, për t'u bërë realitet sot pasdite në mjediset e jashtme të Galerisë Kombëtare të Arteve, në Tiranë, nën përkujdesjen e veçantë të "Sallonit të Librit të Torinos". Ky aktivitet kulturor ka dhe mbështetjen e Bashkisë së Tiranës. Të pranishëm në çeljen e sallonit të librave ishin Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Saba D'elia, personalitete të artit dhe letrave shqipe, përfaqësues të disa shtëpive botuese shqiptare dhe italiane, shkrimtarë e përkthyes. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar të dy vendeve, fjalën e përshëndetjes e mbajti botuesi i shtëpisë botuese "Dituria", Petrit Ymeri, që e konsideroi këtë sallon, një ngjarje tejet të veçantë të botës së kulturës. "Jam i bindur që një nga gjërat më me vlerë në procesin e gjatë të integrimit, letërsia e libri janë më të vlefshme, më të bukura e interesante. Letërsia e integrimi në këtë histori mijëravjeçare të dy vendeve, që janë shumë larg e njëkohësisht afër, i ka bashkuar e ndarë një det, por i ka lidhur një miqësi", tha mes të tjerave, botuesi Ymeri. Ambasadori i Italisë në Tiranë, Saba D'elia theksoi se "ideja e këtij panairi kishte marrë ngjizjen që një vit më parë. Libri është valenca e komunikimit midis dy kulturave kaq të afërta, asaj italiane e shqiptare. E krijuam këtë panair në bashkëpunim me "Sallonin e Librit të Torinos", që i dedikuan mbështetjen e tyre nismës sonë së dialogut midis dy shoqërive civile e dy popujve tanë, përmes instrumentit të librit". Salloni i Librit Italo-Shqiptar krahas diskutimeve mbi letërsinë bashkëkohore italiane, letërsinë e migrimit, asaj për fëmijë, do të ketë prezantime librash, si dhe takime me autorët e tyre. Salloni i Librit, që përfshin rreth 15 shtëpi botuese nga Shqipëria mes të cilave, "Dituria", "Omsca", "Botimet Max", "Skanderbeg Books", etj, si dhe Sallonin e Librit të Torinos, do të qëndrojë i hapur deri më 23 Maj./n.m/
KOMENTE