English

Durrës: Mot I Paqëndrueshëm, Kushte Të Mira Detare

DURRËS, 20 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/.- Moti i paqëndrueshëm është rikthyer në rajonin detar të Durrësit, pas një ndryshimi pozitiv prej 24 orësh gjatë ditës së mërkurë, bënë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga kapiteneria e portit më të madh të vendit. Ndërkaq, sipas të njëjtave burime, kushtet detare janë normalizuar plotësisht dhe dy tragetet e parë me udhëtarë dhe kamionë kanë mbërritur nga porti i Barit (Itali) në Durrës që në orët e para të mëngjesit. Procesi i ngarkim-shkarkimit të anijeve tregtare me mallra në kalatat e portit ka nisur pa probleme dhe megjithë erën e lehtë që fryn nga verilindja temperaturat e ajrit i janë rikthyer mesatares stinore. Valëzimi nuk e kalon forcën 2 ballë brenda gjiut detar, thanë burimet e mësipërme, duke shtuar se motopeshkatoret kanë dalë përsëri në gjueti pas një pauze disaditore për shkak të stuhive detare që përfshinë rajonin në fundjavën e kaluar./s.s./
KOMENTE