English

Dy premiera në Teatrin e Metropolit

Tiranë, 20 maj, NOA /Milena Selimi - Një sfidë dhe një premtim i mbajtur. Teatri I Metropolit, teatri më i ri i kryeqytetit, i krijuar vetëm dy vjet më parë me logon “Far në anë të detit” ka drejtuar dhe tërhequr drejt vetes krijues, regjisorë, aktorë të rinj, duke iu dhënë mundësinë të shprehin ndjesitë, aftësitë dhe dashurinë e tyre për teatrin.

I konceptuar tashmë jo vetëm për vëniet skenike klasike, por edhe të atyre alternative nga 21 deri më 30 maj ora 21.00, do të shfaqen premierat: Në sallën"Bodrum" "Varësja e rrobave" me regji të Guri Koços, dhe në sallën "Çehov" shfaqja "Jashtë bie borë", me regji të Najada Elmazit.

Shfaqjet paralele në të njëjtën orë, në të dyja sallat filluan dy muaj më parë, kur Teatri i Metropolit i propozonte publikut artdashës, premierën “Playboy i trojeve tona” dhe stand-up-comedy nga Erand Sojli “Drejt lirisë”.

"Jashtë bie borë" (E fuori Nevica, 1995) është një vepër bashkëkohore, shkruar nga dramaturgu italian Vicenzo Salemme. Interpretojnë: Gentian Zenelaj, Ervin Bejleri, Alban Musa, Ledion Zoi.

Në qendër të veprës është figura e një të sëmuri mendor, që e ka frikë vetminë dhe ka nevojë për dashuri.

Beqo Nanaj e ka realizuar skenografinë thejsht dhe në funksion të aktorëve dhe të pjesës, kurse kostumet janë realizuar nga Realda Malo. Vepra është përkthyer nga Hervin Çuli.

Komedia "Jashtë bie borë" kthehet për herë të tretë në skenën e Tiranës, ndërsa është ndjekur nga publiku me regji nga Gëzim Kame dhe Hervin Çuli.

Premiera e dytë, "Varësja e rrobave", është shkruar nga Mario Alessandro Paolelli, me regji të Guri Koços. Interpretojnë aktorët: Genci Fuga, Florian Agalliu, Aldion Matarangasi dhe vetë Guri Koço. "Jeta është një luftë e fuqishme që duhet të fitohet. Ndryshe kthehemi në objekte", e përmblodhi shkurt mesazhin e veprës regjisori. Skenografia, e ndërtuar mbi simbole, vjen në konceptin e Lirim Lilës dhe muzikë të Edi Hallullit, ndërsa interpreton në oboe Erik Tauzi.

"Varësja e rrobave" është shfaqja e parë e regjisorit Guri Koço në Tiranë. Ka punuar aktor dhe regjisor në teatrin "A.Z.Çajupi" Korçë, në Teatrin "Bylis" Fier dhe "Skampa" në Elbasan.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE