English

Ekonomi - Itali - Parashikohet 10 Për Qind Ulje E Pagave Të Larta

MILANO, 20 maj /ATSH-AFP/ - Qeveria italiane parashikon zvogëlimin në masën 10 për qind për një deri tre vjetë të pagave të funksionarëve të lartë që fitojnë më tepër se 100 000 euro në vit në kuadrin e një plani masash të rrepta ekonomike për vitin 2010 dhe 2011, njofton sot shtypi i gadishullit. "Nëse kjo masë konfirmohet në drekretin antikrizë që qeveria është duke përpgatitur për javën e ardhshme, të gjithë funksionarët dhe drejtuesit të ardhurat e të cilëve e kalojnë shumën 100 000 euro në vit duhet të heqin dorë nga një e dhjeta e pagës së tyre", bën të ditur "La Stampa". Gazeta e Torinos shton se pragu mund të bjerë madje deri në 70 000 euro, duke prekur jo vetëm funksionarët e lartë të shtetit, por edhe gjykatësit, profesorët dhe mjekët. Qeveria parashikon gjithashtu zvogëlimin në mënyrë të përkohshme, të pensioneve të larta në funksionin publik, duke filluar nga ato 3 500 euro në muaj, bën të ditur "Repubblica". Edhe politikanët duhet të fillojnë të kontribuojnë. Sipas "Corriere della Sera" mendohet të jetë parashikuar "një shkurtim drastik i pagave të ministrave dhe parlamentarëve prej 15 për qind dhe jo 5 për qind, siç ka propozuar ministri për thjeshtimin e legjislacionit Roberto Calderoli. Ky plan shtrëngues parashikon gjithashtu, siç ka bërë të ditur së fundi ministri i Ekonomisë Giulio Tremonti, kontrolle më të forta për të zbuluar personat që hiqen si invalidë dhe përkrahësit e evazionit fiskal. Tjetër masë është shtyrja e moshës së daljes në pension duke filluar nga viti 2011. "Një masë që pritet të bëjë të mundur kursimin e 1,5 miliardë eurove në vit", thekson "Il Sole 24 Ore". Autoritetet lokale pritet të përfshihen në masat e shtrëngimit të rripin. Shteti parashikon në fakt zvogëlimin e financimeve për rajonet dhe komunat. Të gjitha këto masa të rrepta buxhetore, me anë të të cilave pritet të kursehen rreth 27 miliardë euro, sipas shtypit italian, mund të miratohen nga ekzekutivi javën e ardhshme. /I.Pu.
KOMENTE