Erdogan-Thacit: Mbeshtetje Te Plote Per Proceset Zhvillimore Ne Kosove
PRISHTINË, 20 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Turqi, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u takua sot me kryeministrin Rexhep Tayyip Erdogan, nga i cili mori mbështetjen e plotë për proceset zhvillimore në Kosovë.
Sipas zyrës së shtypit të kryeministrisë, Thaçi dhe Erdogan patën një takim miqësor kokë më kokë dhe më pas, u zhvilluan takime zyrtare mes delegacioneve të Kosovës dhe Turqisë, ku u vlerësua lart bashkëpunimi bilateral midis dy vendeve. Të dy palët shprehën gatishmërinë për ngritjen dhe thellimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat.
Pala turke është shprehur e gatshme të vazhdojë mbështetjen e Kosovës në zhvillimin ekonomik, arsim, mjedis dhe veçmas, në procesin e lobimit për njohjet e reja të Kosovës shtet sovran.
Sot në Ankara u nënshkruan katër marrëveshje bashkëpunimi midis Kosovës dhe Turqisë në fushat e transportit, bujqësisë, arsimit dhe ambientit.
Qeveria e Turqisë në mënyrë të veçantë është shprehur e gatshme të mbështesë ngritjen e Universitetit Publik të Prizrenit.
Pas takimeve zyrtare, kryeministrat Hashim Thaçi dhe Rexhep Tayyip Erdogan në një konferencë të përbashkët për median, theksuan përkushtimin e institucioneve të tyre për zhvillimin e mëtejshem të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Turqisë.
Kryeministri Thaçi falënderoi qeverinë dhe popullit turk për ndihmat e deritashme që Turqia ka dhënë për Kosovën. Duke theksuar faktin që Turqia është ndër vendet e para që ka njohur Kosovën, Thaçi tha se vendi i tij paraqet një rast të mirë për investime dhe ftoi biznesmenët turq që të investojnë në Kosovë.
Në njoftimin për shtyp nga zyra e kryeministrit kosovar, theksohet se pala turke mbështeti integritetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës dhe ka premtuar mbështetjen e Turqisë për integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike.
Gjatë konferencës për mediat, komuniteti turk që jeton në Kosovë u vlerësua si element i rëndësishme dhe urë bashkëpunimi për zhvillimin e mëtejshem të marrëdhënieve Kosovë- Turqi.
Delegacioni nga Kosova, i kryesuar nga kryeministri Thaçi pati sot takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutoglu, ku u bisedua për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve.
Kryeministri Thaçi nesër do të qëndrojë në Stamboll, ku do të pritet nga kryebashkiaku i Stambollit, Kadir Topbas. Po ashtu, Thaçi do të marrë pjesë në takimin e organizuar me përfaqësues turq të biznesit, lidhur me investimet në Kosovë. /a.ke/