Durrës, 20 maj, NOA – Një ngjarje e pazakontë dhe e trishtuar ka ndodhur në fshatin Rrushkull të Durrësit, ku një nënë, e cila po udhëtonte me djalin e saj hipur mbi një karrocë, ka rënë prej saj, duke gjetur menjëherë vdekjen.
Kjo konfirmohet nga burimet policore të Durrësit për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave, viktima mban emrin Aishe Spahiu dhe është e moshës 64-vjeçare, lindur dhe banuese në fshatin Rrushkull.
Nga veprimet e para hetimore të kryera lidhur me këtë ngjarje, rezultoi se gruaja ndërsa ka qenë duke udhëtuar me karrocë së bashku me djalin e saj, 44-vjeçarin me inicialet A.S, në ecje e sipër nga pakujdesia, është rrëzuar në tokë dhe si pasojë e plagëve të marra ka gjetur vdekjen.
Materialet iu kaluan për ndjekje prokurorisë së Durrësit, për hetime të mëtejshme.
n.e/NOA