English

Histori/ Elbasan: Ullishta, Kurora E Bukurisë Së Qytetit

ELBASAN, 20 Maj /ATSH-Miranda Sadiku/ - Çdo turist i huaj apo vendas që viziton për herë të parë Elbasanin, nuk mund të largohet pa shijuar kurorën e gjelbër të qytetit, e krijuar nga më shumë se 20 mijë hektarë ullinj të mbjellë vazhdimisht nëpër shekuj. Mbjellja e ullirit për elbasanasit ka qenë vazhdimisht pasion. Sipas traditës, çdo ditë vere banorët mbillnin nga një ose dy rrënjë ullinj. Ata e kanë dashur gjithmonë këtë pemë e cila shërben për ushqim, kurim dhe hijeshi. Në majë të kurorës së gjelbër, ndodhet një vend i bukur, nga ku mund ta shohësh qytetin në pëllëmbë të dorës. Para më shumë se një shekull e gjysëm, elbasanllinjtë e pagëzuan "Ulliri i Qejfit". Etnologu i njohur Thanas Meksi, nga Elbasani, rrëfen për ATSH historinë e ullirit dhe të emrit. "Ulliri i Qejfit e ka marrë këtë emër pasi elbasanllinjtë mblidheshin tok dhe shkonin deri lart në majë në fund të kurorës ku edhe ndodhej një pemë ulliri e veçuar nga të tjerat e rrethuar nga një lëndinë e vogël. Dëshira e madhe ishte për të parë më nga afër ullishtat e tyre, të cilat ua morën nga shteti mbas vitit 1944," thotë Meksi. Tradita vazhdoi edhe pas shpronësimit. "Edhe pse nuk kujdeseshin për pronën e tyre, ata kishin kënaqësi që ta shihnin këtë dru bamirës, e nazik për ta," thotë ai. "Në vitin 1900 Pal Shuteriqi, i cili vizitonte shpesh pronat e tij, shumë pranë këtij ullirit ndërtoi dhe një çezmë dhe vazhdimisht çezma qëndronte e rregullt. Elbasanllinjtë freskoheshin me ujin e saj sapo shkonin në këtë pikëqëndrimi," tregon Meksi. Sipas etnologut, "ky vend njihet me këtë emër jo vetëm se Elbasani shihej në pëllëmbë të dorës, por syri të shihte veç gjelbërim. Në këtë vend shihej ullishta gjithandej, deri afër Petreshit, një pikturë natyrore shumë të bukur." Njerëzit shkonin për qejf, me vete çanta të mbushura plot me ushqime. Burrat piqeshin tok, pinin nga një gotë raki, dhe ja merrnin këngës elbasanase, ndërsa gratë bisedonin me njëra tjetër për probleme të ndryshme," tregon Meksi. Edhe këngëtari i njohur elbasanas, Isuf Myzyri, shkonte shpesh atje me miqtë e tij, si dhe me grupin popullor. Sa çifte u njohën në këtë pikë qëndrimi, sa këngë u thurën për dashuri, dhe edhe sot e kësaj dite tradita vazhdon. Ndoshta tani Ulliri i Qejfit nuk vizitohet si dikur, por, shton Meksi, "emërtimi i tij nuk do të harrohet kurrë". "Ky vend kaq i mrekullueshëm, ka nevojë për investim. Çezma, e cila ka më shumë se një shekull që është ndërtuar, duhet restauruar, dhe vënë një emër," thotë Meksi. Poetët si Nexhip Ejupi e Milianov Kallupi i kanë kushtuar vargje ullirit të qejfit. Kurora e ullirit sinjifikon, për elbasanllinjtë, mirësi, paqe e mbarësi. Edhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, flet me mallin e fëmijërisë për këtë pikë qëndrimi. "Shkonim gjithnjë atje lart, me prindërit, por edhe të afërmit e mi kishin një dëshirë të madhe të shijonin atë natyrë të qetë e të pastër," thotë ai. "Edhe pse kanë kaluar kaq vite, edhe pse kam parë shumë vende të bukura që natyra ka krijuar, por ai vend, aty ku ndodhet ai ulli, dhe ajo lëndinë e vogël, është një ndër vendet më të bukura që unë nuk kam për ta harruar kurrë", deklaron Sejdini./ch/
KOMENTE